Xhemati Alban, është një grup militant xhihadist sunit që vepron në provincën e Idlibit në Siri. Duke tërhequr vëmendjen për “skuadrën e saj të frikshme të snajperëve”, ky grupim kanë qenë aktiv edhe në përhapjen e propagandës përmes internetit.
Të lidhur ngushtë me organizatën terroriste Hay’at Tahrir Al-Sham (HTS), pjesëtarët e kësaj njësie kanë qenë të përfshirë në disa operacione së bashku. Nuk dihet me saktësi numri aktual i anëtarëve të grupit. Por besohet se nuk i kalon 30 anëtarë.
Pavarësisht pretendimit se u krijua në vitin 2012, pjesa më e hershme e propagandës së grupit në rrjet daton në vitin 2017. Këtij grupimi i mungojnë motot ose frazat e njohura, por ai shpërndan shpeshherë citate fetare përmes kanaleve të ndryshme.
Pas vdekjes së njërit prej anëtarëve të grupit, Khalid Albani në shkurt të këtij viti, grupi ndau një foto të tij së bashku me një citat kuranor. Luftëtarët e grupit, janë relativisht modestë nëse krahasohen me forcat moderne luftarake bashkëkohore, dhe mesazhet e tyre propagandistike janë zakonisht pa ndonjë simbol.
Megjithatë, grupi ka një njësi të rëndësishme që quhet Albanian Tactical (Taktika Shqiptare), një nëngrup tjetër brenda Xhemati Alban. Albanian Tactical ofron trajnime taktike në përputhje me organizata të tjera mercenare ose kontraktuale në rajon si Yurtugh Tactical dhe Muhojir Tactical.
Kjo i ka dhënë mundësi atyre që të etiketohen si një kompani me kontratë, dhe jo thjesht si një grupim terrorist. Xhemati Alban, përbëhet nga shqiptarë etnikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës në Serbi. Nën udhëheqjen e Abu Katada Al-Albani (Abdul Jashari), i lindur në 1976 në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ky grupim e emëroi udhëheqësin e tij ushtarak siç u caktua nga ish-udhëheqësi i Jabhat al-Nusra, Abu Mohammad Al-Jolani në vitin 2014.
Lidhja e Al-Albani me Jabhat al-Nusra, çoi në përfshirjen e tij në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në fundin e vitit 2016. Al-Albani shërben gjithashtu edhe si këshilltar i ngushtë ushtarak i udhëheqësit të Hay’at Tahrir Al- Sham (HTS).
Për shkak të praninë së tij të fshehtë si brenda HTS ashtu edhe tek forcat aleate, shumë nga operacionet e grupit në terren në Siri mbeten të panjohura dhe të pa dokumentuara. Megjithatë, disa operacione dihet se kanë ndodhur. E tillë ishte Beteja për Idlibin më 24 mars 2015, kur “Ushtria e Pushtimit” sulmoi qytetin e Idlibit nga 3 anë. Tre ditë më vonë, më 27 mars, ata arritën të depërtojnë në pjesën e jashtme të qytetit dhe të rrethojnë plotësisht qytetin.
Të nesërmen, luftëtarët rebelë arritën të pushtonin plotësisht qytetin dhe nisën të rrethojnë qytetet Kafarya dhe Al-Fu’a, duke detyruar trupat qeveritare siriane që të rigrupohen në jug të Idlibit dhe të fillojnë përgatitjet për një kundërsulm ndaj forcave rebele.
Një video propagandistike e publikuar nga grupi, tregoi një ekip prej 4 personash nga Xhemati Alban duke përparuar nëpër lagjen Al-Layramoun në Aleppo-n perëndimore. Kur grupi arriti të vendosej brenda një ndërtese, snajperët nga Xhemati Alban nisën të ngrenë strehën e tyre të veçantë dhe të luftojnë ndaj ushtarëve të regjimit të Assad nga një distancë prej afro 800 metrash.
Luftëtarët e Xhemati Alban, kanë qenë aktivë në shënjestrimin e forcave të regjimit sirian në Kabani në rajonin e Latakias. Video të ndryshme të hedhura në rrjet, tregonin se gjatë luftimeve përveç snajperëve ata përdornin edhe AGS-17, një granatahedhës automatik.
Për shkak të madhësisë relativisht të vogël (24-90 luftëtarë), ky grup nuk ka pasur mundësi të organizohej për të kryer sulme në shkallë të gjerë si grupet e tjera, si për shembull HTS. Këto tipare, bëjnë që grupi të fokusohet me efektivitet në ofrimin e mbështetjes për organizatat më të mëdha që mbajnë barrën kryesore të luftimeve në Siri.
Xhemati Alban dhe nëngrupi i tij Albanian Tactical, mbajnë lidhje të ngushta me Hay’at Tahrir al-Sham (HTS) dhe operojnë në mënyrë aktive. HTS është një nga organizatat më të mëdha xhihadiste selefiste aktualisht aktive në Siri, dhe është fraksioni dominues në provincën e Idlibit.
Ndërkohë Albanian Tactical, ofron trajnime taktike me kontratë për grupe të tjera xhihadiste në rajon. Ky nëngrup, ka bashkëpunuar me një sërë formacionesh të tjera taktike xhihadiste si Yurtugh Tactical, që u shfaq për herë të parë në vitin 2018, i themeluar nga luftëtarë veteranë ujgurë (një komunitet i madh etnik që jeton në Kinën Perëndimore).
Zakonisht Xhemati Alban nuk përdor mjete të blinduara në sulmet e tij. Por vëzhguesit kanë vënë re se grupi ka përdorur ndonjëherë edhe topa kundërajrorë. Ato montohen në pjesën e pasme të kamionëve dhe përdoren gjatë sulmeve në pozicionet e armikut. Ndërkohë Albanian Tactical përdor motoçikleta për të transportuar ushtarët e saj.
Kjo lejon vendosjen e shpejtë të luftëtarëve të saj, dhe e forcon imazhin e tij si një grup shumë i lëvizshëm dhe i orientuar taktikisht. Grupimi paraqitet shpesh në videot propagandistikë në internet duke u pajisur me pajisje të modernizuara.
Ato të kujtojnë pajisjet me të cilat janë të pajisura ushtritë moderne si ato të SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s. Kjo u lejon atyre ta shesin veten si një forcë luftarake e modernizuar e cila mundet, dhe që në fakt i ka eliminuar objektivat edhe në distanca të largëta.
Pajisje të tilla si syzet e shikimit të natës, jelekët balistikë dhe veshjet taktike, duke përfshirë xhaketat dhe pantallonat, i japin mundësi grupit ta marketojë veten si një forcë luftarake profesionale. Skuadrat e snajperistëve, e pasqyrojnë natyrën e tyre të pavarur përmes taktikave të tyre.
Këto formacione veprojnë zakonisht në ekipe me dy persona të përbërë nga një vëzhgues dhe një snajper. Rrjedhimisht, ato vendosen në front për të eliminuar pozicionet e armëve të rënda, si dhe për të synuar individë me rëndësi të veçantë, si oficerë apo ekipe mbështetëse.
Ky ekip angazhon luftëtarë të regjimit dhe pozicione nga distanca të mëdha, shpesh duke vepruar në autonomi nga përbërësit e tjerë të grupit. Snajperistët shqiptarë e kanë treguar gjithashtu aftësinë e tyre për t’u përfshirë në vijën e parë të frontit.
Hulumtimet nga Qendra e Luftimit të Terrorizmit në Akademinë Ushtarake Uest Point në SHBA, vlerëson se grupi i snajperistëve shqiptarë përbehet nga deri 30 anëtarë. Megjithatë, projekti kërkimor “SilahReport” flet për 60-90 individë. Ata janë të specializuar në fusha të ndryshme të armatimit.
Xhemati Alban dhe nëngrupi i tij, Albanian Tactical, janë gati të përqafojnë më tej rolin e tyre si një grup kontraktues i armatosur. Ata do të përfitojnë nga përvoja për të trajnuar grupe të tjera, të ngjashme me mënyrën se si Malhama Tactical ka operuar në Siri që nga viti 2015. Këto grupe kontraktore xhihadiste, të ngjashme me kompaninë e famshme ushtarake private Blackwater, synojnë që të krijojnë një vend të tyrin në tregun e Lindjes së Mesme.
Me përvojën e Xhemati Alban dhe videot e stilit propagandistik, ata krijojnë imazhin e snajperëve dhe operatorëve ushtarakë shumë të trajnuar dhe vdekjeprurës. Ky imazh, që të kujton propagandën mbi forcat speciale si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, do të tërheqë biznese të konsiderueshme. Apeli i tyre e tejkalon atë të grupeve më pak të dukshme në rajon, duke i lejuar ata të zgjerojnë ndjeshëm operacionet e tyre./Përshtati Pamfleti nga “Grey Dynamics”
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje