
Mazhoranca ka kaluar me urgjencë ligjin për legalizimin e kanabisit. Teksa në seancë plenare deputetët debatonin dhe përplaseshin për rastin e Arben Ahmetajt, në Komisionin e Ligjeve mbahej mbledhje për të kaluar ligjin e shumë-debatuar.
Mbledhja u mbajt në një nga sallat e katit të dytë të Kuvendit, teksa u zhvillua tërësisht e fshehtë. Gazetarët nuk u thirrën, ndërkohë që as vetë Kuvendi nuk e transmetoi mbledhjen. Po ashtu nuk ishin as deputetët e opozitës.
Por dy deputetët i kanë dalë kundër qeverisë. Mësohet se Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko kanë abstenuar, duke mos rënë dakord me ligjin e qeverisë.
Ligji po tentohet të kalohet me procedurë të përshpejtuar. Edhe pse është një rast ku duhen konsultime, mazhoranca duket e vendosur që në seancën e fundit që pritet të mbahet javën që vjen ta miratojë dhe t’i hapë rrugë legalizimit të kanabisit.
Miratimi i ligjit vjen në një kohë kur qeverisë i duhen para. Buxheti është gropë nga rritja e pagave dhe abuzimet me të. Madje pagat e rritura nuk kanë kaluar sepse shteti nuk ka para. I gjendur në këtë situatë, Rama ka hapur rrugën e kanabisit, teksa gati është dhe ligji për rihapjen e basteve.
Një ndër emrat që flitet se mund të marrë monopolin e kanabisit është aktori Xhim Belushi. Pak kohë më parë ai erdhi në vendin tonë dhe deklaroi se ishte thirrur për këtë gjë. Xhim Belushi ka në SHBA një fermë kanabisi.
“E kam filluar me fermën time në Oregon dhe shtete të tjera të Amerikës deri kur më vjen një telefonatë nga kryeministri Rama që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Dhe përderisa unë kam fermën time të kanabisit, besoj se ai duhet të kishte dëgjuar për këtë dhe donte të dinte se cila ishte përvoja ime dhe mendimet e mia. Unë e di që kryeministri ka një ligj që është ende në parlament dhe nuk është miratuar ende. Sipas mendimit tim kanabisi është një bime medicinave që shëron dhe të ndihmon me shumë sëmundje. Duhet të bëjmë dallimin midis bimës mjekësore dhe krimit të organizuar që ka qenë i përfshire dhe i ka dhënë kanabisit këtë konotacion negativ”, shprehej ai.
Lini një Përgjigje