
Seanca e sotme plenare është shoqëruar vazhdimisht me tensione mes palëve politike. Opozita ka kërkuar me këmbëngulje një seancë urgjente ku të diskutohet çështja e Ahmetajt, ndërsa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e ka kundërshtuar duke e cilësuar të paligjshme.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka replikuar me kryetaren e Kuvendit Nikolla i cili e ka akuzuar se ka lexuar nene të rregullores që s’kanë asnjë lidhje me rendin e ditës.
“Ke 3 orë që ke lexuar 70 nene të rregullores që s’kanë asnjë lidhje me rendin e ditës, për ju rregullorja është ashtu si një deputet i juaji. Paçavure e bëni sa herë të doni, kur ju kërkojnë grupet kriminale të kaloni me urgjencë ligjin për kanabisin e bëni ju. Keni 3 orë që bllokoni seancën. Keni nxjerrë urdhër ju që të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të diskutuar ligjin e kanabisit, pra për grupet kriminale ju nuk pyesni për rregullore, ndërsa për ta çuar Ahmetajn sa më shpejt para drejtësisë duhen procedura. Seanca nuk vazhdon dot, nuk kemi nevojë për raportin e komisionerit të zgjedhjeve, po pati ndonjë raportim për tenderat ok, kemi paraqitur një kërkesë, e ke për detyrë ta hedhësh në votim, rrëzoje, por s’mund ta injorosh. Parlamenti nuk është Zoti juaj, të drejtat e opozitës nuk i mohon dot as ti e as Rama i cili momentalisht ndodhet me pushime në Dhërmi”, tha Bardhi.
Lindita Nikolla iu përgjigj duke thënë se nuk e hedh dot në votim një kërkesë që nuk ka substancë. Gjithashtu ajo u shpreh se nuk janë njoftuar ende deputetët me raportin.
Lini një Përgjigje