E vërteta është e thjeshtë dhe e qartë si drita e diellit: Arben Ahmetaj nuk mundet ta mbyllë kapakun e gropës së hapur septike të inceneratorëve...
Ka një nonsens në çështjen e Arben Ahmetajt, inceneratorëve dhe pjesëve të tjera të pazëllit të këtij skandali të madh, të cilat nuk janë vështirë të lidhen me njëra-tjetrën.
E para nis me qëndrimin e kryeministrit, i cili e ka cilësuar të mrekullueshëm projektin prej 430 milionë eurosh të inceneratorëve të Elbasanit, Tiranës dhe Fierit - anipse këta inceneratorë "të mrekullueshëm" vazhdojnë të thithin euro, por jo plehra sot e kësaj dite.
Siç e ka shpjeguar vetë Babloku, brenda kësaj "mrekullie" thjesht ka pasur disa keqbërës që kanë përfituar si fjala vjen, Lefter Koka, Alqi Bllako e Arben Ahmetaj bashkë me një dyzinë zyrtarësh të tjerë.
Për sa ka ndodhur, Rama e ka kthyer në template tashmë përgjigjen: "ku di unë çfarë bëjnë vartësit e mi", dhe me këtë Kryeministri mendon se i ka larë duart.
Por a është Arben Ahmetaj kapaku që mbyll gropën septike të inceneratorëve?
Si fillim duhet thënë se në dokumentin, në të cilin SPAK i kërkon Parlamentit arrestimin e Ahmetajt, është më shumë se i dukshëm fakti se Edi Rama e ka ditur që ç’ke me atë punë çfarë bënin vartësit dhe njerëzit e paguar prej tyre në lidhje me megaaferën e inceneratorëve. Është lehtësisht e kuptueshme që shumë nga veprimet për të cilat akuzohet Ahmetaj nuk mund të bëheshin pa miratimin e Bablokut. Ahmetaj akuzohet se ka iniciuar vendime qeverie në këmbim të favoreve financiare si vila, apartamente apo pagesa faturash, por askush nuk mund të thotë të kundërtën që, këto vendime qeverie, Ahmetaj dhe Lefter Koka e kishin të pamundur t'i miratonin vetëm. Ata ishin vetëm 2 vota. Po të tjerët? Po Rama?
Në dokumentin e SPAK, Ahmetaj akuzohet si ministër financash që ka miratuar ato që Shkëlqim Cani i kundërshtoi dhe kjo i kushtoi karrigen këtij të fundit.
Por a do ti hapej rrugë karrierës së Tigrit në krye të financave të shtetit dhe më pas mafies së dy Klodianëve, Mërtiri dhe Zoto, nëse nuk do të donte Babloku?
Prandaj e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë si drita e diellit. Arben Ahmetaj nuk mundet ta mbyllë kapakun e gropës së hapur septike të inceneratorëve. Ai është vërtet mëkatar dhe ka dalë zbuluar, por mbetet i fundit në listën e atyre që duhet të shkojnë pas hekurave. Ndërkohë që SPAK lëshon urdhra të premten pasdite dhe, në të njëjtën ditë, Tigri i hip makinës e kalon kufirin, kokat që hapin përfundimisht këtë gropë jashtëqitjeje dhe që, me shumë gjasë, kanë fuqinë edhe të përmbysin qeverinë për madhësinë e skandalit që kanë kryer, nuk duken ende askund.
Ata janë dy Klodianët e famshëm; Zoto dhe Mërtiri.
Formula është e qartë dhe deri tani është zbatuar me përpikmëri.
Mirel Mërtiri ka një vit që sponsorizon mediat e Tiranës kundër Arben Ahmetajt. Njerëzit e tij bredhin me çek në dorë dhe kushdo që ka një media, thjeshtë hap gojën për shifrën që do të shkruhet në të. Pazari ka qenë i pastër dhe objektivi i qartë. Pas një viti fushate të ndyrë kundër ish-zëvëndëskryeministrit që degjeneroi edhe në "muhabet vibratori" kur kontrolluan shtëpinë e partneres, erdhi koha e arrestimit të tij.
Kreu i vërtetë i mafies, ai që e di dhe e ka të dokumentuar të vërtetën që përfshin kupolën më të lartë të shtetit, Mirel Mërtiri, është sponsori gjeneral i arrestimit të ish-zevëndëskryeministrit. Ndërsa ekzekutori i dytë në radhë, Engjell Agaçi ka dirigjuar me saktësinë e një ore zvicerane, gjithçka. Kur moçali i fushatës mediatike u mbush, u hodhën zaret e arrestimit.
Të gjithë bashkë i kanë bërë shah mat, Bablokut, atij që inceneratoret i quan mrekulli dhe që do të fshihet pas gishtit të vogël të dorës.
Prandaj zgjidhja e kësaj afere të pisët, si vetë plehrat për të cilat janë ndërtuar, nuk është e vështirë të gjendet. Vetëm burgojsa e Mërtirit dhe Zotos do ta hapte gropën ku është mbledhur qelbi i korrupsionit dhe do ta pastronte me rrënjë atë.
Natyrisht kjo mund ti kushtojë Shqipërisë qeverinë e Bablokut, dhe këtu qëndron i gjithë problemi.
Babloku dhe kjo qeveri ka shumë kohë që janë bërë për të shkuar pas hekurave dhe për të dhënë llogari për çfarë kanë bërë. Nëse nuk e bënë dot kontratat e tmerrshme të koncensioneve, do ta bëjnë plehrat. Fundja plehra të tilla vetëm nga mbledhësi i plehrave mund të pastrohen./Pamfleti
Lini një Përgjigje