
Gjykata e Tiranës do të jetë e vetmja gjykatë në Republikën e Shqipërisë që do të shqyrtojë kërkesat e shtetasve që jetojnë jashtë vendit dhe që shprehin interes për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili gjithashtu përcaktoi se Gjykata do të jetë e detyruar që të kthejë përgjigje brenda 48 orësh.
Në këtë mënyrë të gjithë ata shtetas, që jetojnë jashtë vendit, që nuk e gjejnë emrin në listën e zgjedhësve ose i është mohuar e drejta e votës, kanë të drejtën që përmes adresës [email protected], të kërkojnë regjistrimin dhe të marrin të drejtën e votës.
Gjithçka do të bëhet në mënyrë elektronike, çka do të thotë se shqyrtimi i kërkesës do të bëhet në mungesë të paditësit.
Për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës. KQZ regjistroi mbi 220 mijë votues, ndërkohë që të tjerë që mund të mos e gjejnë emrin në listë apo i është mohuar e drejta e regjistrimit për shkaqe teknike apo mosplotësim të dokumenteve në formatin e duhur, mund t'i drejtohen Gjykatës.
Vendimi nga KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenin 147 dhe 147/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 25 pika 8 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, në nenin 10 të Kodit të Procedurave Administrative, në nenin 61 pika “ë”, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në nenin 36, të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në vendimin nr. 23, datë 24.01.2024 “Për krijimin e “E-Mail Server” për postën elektronike zyrtare të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendimit nr. 354, datë 11.07.2024 “Për miratimin e rregullores “Për përdorimin e postës elektronike zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Sistemin Gjyqësor” me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit,
VENDOSI:
1. Miratimin e platformës elektronike “Microsoft Exchange Server” për paraqitjen e kërkesave edhe online për zgjedhësit që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të dërgohen në adresën zyrtare [email protected].
3. Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, edhe nëpërmjet platformës elektronike “Microsoft Teams”, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve.
4. Ngarkohet Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe hyn në fuqi në datën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Lini një Përgjigje