
Endrit Shabani ka folur pas zgjedhjes si Avokat i Popullit. Ai ka komentuar qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila mohoi përkatësinë e saj me të dhe kërkoi ndjesë për dhënien e firmave.
Shabani u shpreh se ka bashkëpunuar me partitë opozitare në Këshillin Bashkiak dhe ka qenë partner i tyre në disa beteja.
“Nuk jam terrorist që të kesh frikë të asociohesh me mua. Kam qenë në një front me ta në zgjedhjet e fundit lokale për të mbështetur Florjan Binajn për bashkinë Tiranë. Kam bashkëpunuar me partitë opozitare në Këshillin Bashkiak dhe kam qenë partner i tyre në disa beteja. Nuk kam sulmuar shumë emra, por kam thënë disa të vërteta në sy ndaj Berishës dhe disa të tjerëve. Nuk ka qenë qëllimi im të sulmoj njeri, por kam denoncuar shkelje dhe abuzime që kanë sjellë edhe dënime për personat që kanë shkelur ligjin dhe kanë abuzuar me pushtetin”, tha Shabani.
Ai u ndal gjithashtu te firmat e deputetëve opozitarë teksa tha se kanë firmosur më shumë se një kandidat.
“Mendoni se 35 deputetë të opozitës nuk kanë parë emrin e kujt po firmosin? Mund të ketë pasur dinamika të brendshme që kanë ndodhur dhe unë nuk i di. Ka qenë Adriana Kalaja kandidate po ashtu, ndoshta ata e kanë pasur atë si preferencë. Ata kanë firmosur më shumë se një kandidat. Unë u jam mirënjohës që kanë dhënë firmat për zgjedhjen time dhe kanë lejuar që deputetët të firmosin për mua”, shtoi Shabani.
Shabani shtoi se ka takuar personalisht shumicën e tyre dhe theksoi se kandidatura e tij ka pasur mbështetje të gjerë.
“Kam pirë rreth 30-40 kafe me të gjithë ata që firmosën. Klevis Balliu ka firmosur bashkë me dy deputetë të tjerë, Xhelal Mziun dhe Ina Zhupën. Me Mziun jam takuar në kafe dhe e falënderova; ai më tha të mbështes. Askush nuk ka firmosur pa e ditur”, u shpreh Shabani për “News 24”.
Lini një Përgjigje