Seanca plenare e së enjtes në Kuvend u zhvillua në një atmosferë tensioni dhe ndërprerjesh të vazhdueshme. Pavarësisht situatës në sallë, deputetët miratuan ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe votuan disa projektligje.
Kuvendi i dha votëbesimin shtatë anëtarëve të rinj të qeverisë. Albana Koçiu mori detyrën e zv.kryeministres. Toni Gogu u votua ministër i Drejtësisë, ndërsa Besfort Lamallari ministër i Brendshëm. Erjona Ismaili mori postin e ministres së Shtetit për Parlamentin. Ferit Hoxha u votua ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Ermal Nufi mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Enea Karakaçi u emërua ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar Belinda Ballukun.
Deputetët e Partisë Socialiste siguruan shumicën e votave, ndërsa votimit iu bashkuan edhe deputetët e Partisë Socialdemokrate.
Tre prej ministrave të rinj, Ferit Hoxha, Ermal Nufi dhe Enea Karakaçi, ndoqën procesin e votimit nga lozhat e Kuvendit. Ata pritet të bëjnë betimin para Presidentit në një ceremoni të planifikuar në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe dekretet për shkarkimin e disa anëtarëve të kabinetit. Belinda Balluku u shkarkua nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë me 85 vota pro. Elisa Spiropali u shkarkua nga posti i ministres për Europën dhe Punët e Jashtme me 83 vota pro dhe 2 kundër. Deputetët miratuan gjithashtu shkarkimin e Pirro Vengut nga posti i ministrit të Mbrojtjes me 81 vota pro.
Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në seancën ku u votuan ndryshimet e propozuara prej tij. Në sallë mungoi edhe Belinda Balluku, e cila pas largimit nga qeveria pritet të rikthehet në radhët e deputetëve socialistë.
Debati politik u përqendrua edhe te kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut. Opozita kërkoi përfshirjen në rendin e ditës të raportit për heqjen e imunitetit të saj. Përfaqësues të opozitës argumentuan se afati për shqyrtimin e kërkesës po shkon drejt përfundimit. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi se mazhoranca ndodhet brenda afatit dyjavor për hartimin e raportit dhe se dokumenti do të paraqitet në seancën e 12 marsit.
Në fund të seancës u regjistrua edhe një përplasje fizike mes kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe deputeti të PD, Klevis Balliu. Seanca u ndërpre përkohësisht. Pas incidentit, përfaqësues të opozitës njoftuan se do të kërkojnë përjashtimin e deputetit socialist nga Kuvendi.
Gjatë ditës u zhvilluan edhe dy seanca pyetje përgjigje. Deputeti Erion Braçe kërkoi informacion nga ministrja e Arsimit për përfundimin e punimeve dhe hapjen e shkollës “Edith Durham” në Tiranë. Ai zhvilloi gjithashtu një seancë me ministrin e Bujqësisë për një sipërfaqe toke publike pranë lumit Seman, për të cilën ka pretendime për privatizim.
Deputetët miratuan katër projektligje. Mes tyre ishte projektligji për trajtimin e barabartë të mësuesve, i cili mori 81 vota pro. Kuvendi ratifikoi gjithashtu marrëveshjen e huas me KfW për programin “Infrastruktura bashkiake V – faza II”. U miratua edhe projektligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe ndryshimet në ligjin për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë.
Seanca rrëzoi dy projektligje të tjera që lidhen me taksat kombëtare dhe financat e vetëqeverisjes vendore. Seanca u mbyll në orën 20:55.
Lini një Përgjigje