Rama mbledh të hënën grupin për të folur për integrimin, në një moment kur procesi mbetet i bllokuar në Bruksel dhe raporti i IBAR-it nuk kalon. Ndërsa kryeministri tenton të imponojë një narrativë optimiste, mbledhja është në një test për zërat kritikë brenda partisë, të cilët deri tani kanë folur jashtë forumeve zyrtare, por jo përballë tij...
E hëna në orën 11:00 nuk është thjesht një mbledhje rutinë në Pallatin e Brigadave. Edi Rama ka thirrur grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të folur për integrimin europian, një temë që ai vetë e vendosi në qendër të fushatës së fundit me premtimin për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Sot, përballë një procesi që nuk lëviz me ritmin e shpallur, kjo mbledhje merr më shumë pamjen e një ushtrimi bindjeje sesa një raportimi real.
Në tryezë do të jenë ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka, të cilët do të raportojnë kryesisht për Kapitullin 24, drejtësia, liria dhe siguria. Pikërisht këtu ndodhet nyja. Sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, kapitujt 23 dhe 24 përbëjnë themelet e gjithë procesit dhe pa një vlerësim pozitiv në këto fusha, asnjë kapitull tjetër nuk mbyllet. IBAR, raporti i Komisionit Europian që mat progresin në këto dy kapituj, mbetet i pambyllur.
Faktet që dalin nga Brukseli nuk përputhen me tonin optimist të Tiranës. Më 1 prill dhe më 7 prill, në mbledhjet e grupit të punës për zgjerimin, COELA, përfaqësues të vendeve anëtare ngritën çështje konkrete që rrezikojnë avancimin e negociatave. Vetë Këshilli i BE-së konfirmon se diskutimet janë në fazë paraprake dhe se do të nevojiten disa raunde të tjera përpara se të arrihet një qëndrim i përbashkët. Kjo do të thotë se procesi nuk është në fazë mbylljeje, siç u premtua për vitin 2027, por në një cikël të hapur negociatash.
Në këtë sfond, qëndrimet e qeverisë shqiptare kanë prodhuar efekt të kundërt. Refuzimi për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres Belinda Balluku dhe sulmet publike ndaj SPAK-ut kanë krijuar dyshime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës. Pikërisht këto elemente peshojnë drejtpërdrejt në vlerësimin e IBAR-it.
Ndërkohë, paralelizmi me Malin e Zi e bën kontrastin edhe më të dukshëm. Në Bruksel, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm, COREPER, ka miratuar ngritjen e një grupi pune për përgatitjen e marrëveshjes së anëtarësimit për Podgoricën. Shqipëria, në të njëjtën kohë, mbetet në fazën e diskutimeve për një raport ndërmjetës.
Pikërisht këtu hyn dimensioni i brendshëm politik. Mbledhja e 28 marsit në të njëjtin ambient shënoi përplasje të forta mes Elisa Spiropalit dhe Edi Ramës. Ajo përplasje nuk ishte episod i izoluar, por simptomë e një tensioni që ka kohë që qarkullon në PS. Zërat kritikë ekzistojnë, por rrallëherë kalojnë nga rrjetet sociale në tryezat e mbyllura.
Elisa Spiropali ka shprehur rezerva publike për zhvillimet në parti, por nuk i ka artikuluar ato në forumet zyrtare. Erion Braçe ka ndjekur të njëjtën linjë, me kritika sporadike dhe një profil të kujdesshëm brenda strukturave. Ky është një model që nuk është i ri. Kontrolli i centralizuar i partisë dhe mungesa e forumeve reale debati janë evidentuar prej vitesh, që nga momenti kur u shuan strukturat paralele dhe çdo zë alternativ u zhvendos në periferi.
Kjo e hënë do të tregojë nëse këto zëra do të mbeten në statusin e komenteve periferike apo do të kalojnë në një përballje direkte. Pyetja është e thjeshtë: a do të artikulohet brenda sallës ajo që thuhet jashtë saj?
Sepse ndërkohë, jashtë sallës, faktet kanë filluar të krijojnë një narrativë tjetër. Një proces që nuk mbyll kapituj, një raport që nuk kalon, një Bruksel që kërkon kohë dhe një qeveri që kërkon besim. Në mes të këtyre, mbledhja në Pallatin e Brigadave rrezikon të mbetet një skenë ku realiteti negociohet me fjalë, por nuk ndryshon me to./Pamfleti
Lini një Përgjigje