Turi rajonal i nisur nga kryeministri Edi Rama duket se është kthyer në një tur për të tensionet Kosovë-Serbi.
Rama vendosi të ndërmarrë një tur takimesh në Shkup, Prishtinë, Sarajevë, Beograd dhe Podgoricë në kuadër të Procesit të Berlinit. Por sikundër pritej, në fakt fokusi i këtij turi ka qenë Kosova. Rama u ndal në Shkup dhe një konferencë shtypi me homologun e tij maqedonas sulmoi hapur Albin Kurtin. Ky i fundit nuk e priti në takim, ndërsa Rama i kujtoi dhe Kanunin.
“Ta trajtojmë mes shqiptarësh. Kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur hyn në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe duhet ta nxjerrsh kur ai ta mbarojë fjalën”, tha Rama.
Më tej ai u pyet mbi manovrat me Ballkanin e Hapur duke e lënë Kosovën jashtë. Rama nuk tregoi asnjë pendesë, ndërsa goditi sërish Kurtin. Sipas tij nuk është koha për patriotë.
“Ballkanin e Hapur, 1 mijë herë të kthehesha mbrapa, 1 mijë herë do e bëja. Nuk ishte nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 nismat në këtë rajon. Dhe çfarë e keqe i ka ardhur rajonit nga kjo nismë. Përveç të mirave. Cilat janë të mirat? Merreni shihni shifrat e tregtisë dhe mos harroni se çfarë është bërë nuk zhbëhet. Nuk e kuptoj fare se si ka dyshime për këtë kur faktet flasin qartë. Sa i takon asaj të vëllazërisë apo gjakderdhjes, nuk ka rrugë më të gabuar sesa të rrimë me të shkuarën dhe për më tepët të anatemojë njëri-tjetrin, akuzojmë njëri-tjetrin dhe grindemi se kush është patrioti i vërtetë. Patriot është ai që do vendin vet dhe nuk i do të keqen askujt tjetër”, vijoi ai.
Tensionet Kosovë-Serbi ishin dhe në fokus të kryeministrit maqedonas. Ai kërkoi nga Kurti dhe Vuçiç të tregohen burra shteti dhe të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.
Rama pas Shkupit do të shkojë në Kosovë, aty ku do të pritet nga presidentja Osmani dhe kreu i Kuvendit. Albin Kurti nuk pranoi ta takojë, duke e cilësuar si të papranueshme anulimin e mbledhjes mes dy qeverive. Rama sot tha se ai ka dërguar në Prishtinë marrëveshjet që do të firmoseshin dhe është duke pritur një konfirmim nga Kurti. Deri më tani kryeministri i Kosovës duket i vendosur për të mos e pritur Ramën.
Lini një Përgjigje