Kryesia e Partisë Demokratike i ka hapur rrugë Bashës të marrë kreun e partisë. Sot u bë miratrimi i kandidaturave për zgjedhjet e 29 korrikut dhe u vendos që në garë të shkojnë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani. Kjo do të thotë se ata tani kanë të drejtë të nisin fushatën, pavarësisht kundërshtive brenda partisë.
“Në mbështetje të nenit 45, pika 1 të Statutit të PDSh-së, dhe në zbatim të vendimeve të datave 6 qershor dhe 15 Qershor 2023, Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, bazuar në relacionin e paraqitur nga Sekretariti Ekzekutiv, vendosi miratimin e kandidaturave për zgjedhjet për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si vijon: Gjergj Tomor Hani; Lulzim Xhelal Basha. Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim”, njofton Kryesia e PD.
Por më tej Kryesia ka sulmuar fort deputetët që kanë dalë kundër. Disa bojkotuan mbledhjen dhe kanë nisur akuzat në media, ndërsa anëtarët shprehen se ata po ngrenë pretendime të pabaza. Duket se mesazhi shkon për Bardhin dhe emrat e tjerë kritikë.
“Gjithashtu, nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike. Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia.
Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”, thekson më tej Kryesia.
PD mban zgjedhjet më 29 korrik, pavarësisht se shumë emra kanë dalë kundër. Ai që shihet si fitues është padyshim Basha, i cili duket se do të rikthehet në krye të PD.
Lini një Përgjigje