
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, ka kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të sistemit të taksimit të karburanteve në Shqipëri, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe penalizues për qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal fillimisht te zhvillimet ndërkombëtare, duke përshëndetur marrëveshjen për armëpushim në Lindjen e Mesme.
“Shpreh vlerësimin tim dhe tonin për armëpushimin e arritur… Le të urojmë që ky armëpushim të shndërrohet në një marrëveshje paqe të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Sipas tij, kriza në Gjirin Persik ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës në vend. Ai theksoi se edhe pas armëpushimit, pasojat do të vijojnë për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit.
“Situata apo pasojat e krijuara… kërkojnë javë dhe muaj për t’u normalizuar”, deklaroi Berisha.
Berisha sulmoi sistemin aktual fiskal për karburantin, duke e cilësuar si të tepruar dhe të dëmshëm për ekonominë familjare.
“Grupi ynë parlamentar kërkon me çdo kusht përmbysjen e sistemit fiskal aktual mbi litrën e naftës… sistem absolutisht ndëshkues ndaj qytetarit shqiptar”, tha ai.
Berisha shtoi se niveli i taksimit, që sipas tij arrin në rreth 1.1 euro për litër, është ndër më të lartët dhe ndikon zinxhir në rritjen e çmimeve.
Sipas kreut të PD, kjo politikë fiskale prek më fort shtresat në nevojë.
“Penalizon më shumë ata që nuk kanë vetura… fermerët, pensionistët, të gjithë popullatën me rritjen e çmimeve”, u shpreh ai, duke theksuar ndikimin në transport, ushqime dhe koston e jetesës në përgjithësi.
Lini një Përgjigje