Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka inspektuar spitalin e ri rajonal në Lezhë, nga ku njoftoi se në vijim pritet të ketë rritje të mëtejshme pagash për mjekët.
Gjatë deklaratës së tij, Rama foli për ambiciet e qeverisë, që synon rritjen edhe të mëtejshme të pagave, pasi sipas tij vendi ka rritje ekonomike.
“Ndërkohë është e vërtetë që rritja e pagave ka qenë domethënëse për shkak se edhe rritja e ekonomisë ka qenë domethënëse. Tani që ekonomia po na ndihmon që të kemi më shumë mundësi, tani e kemi vendosur për mësuesit, ushtarakët dhe do e shtrijmë në të gjitha frontet. Besoj që do të kemi mundësi përsëri në vijim që të rrisim përsëri pagat. Spitali duket goxha mirë.
Duke qenë se unë kam një parametër të punës së institucioneve, në një farë mënyre e kam një panoramë të pakënaqësive në territor. Për spitalin e Lezhës nuk kam dëgjuar ankesa.
Është e domosdoshme një projekt i ri. Jo vetëm Lezha, por çdo spital që mban ngarkesën e ambulatorit të përditshëm, ka mungesë përqendrimi nga flukset e ditës. Ajo që unë mendoj se është fantastike është centralizimi i pavionit onkologjik”, tha Rama.
Rama tha gjithashtu se është këshilluar që të ndërtohet një spital privat brenda spitaleve shtetërore në vend, në mënyrë që të ndihmohen mjekët financiarisht.
“Duke diskutuar me nja dy grupe shumë të mëdha për të hyrë në marrëdhënie menaxhimi, të dy pavarësisht nga njëri-tjetri, thonë që është kyç që të ndërtohet brenda spitalit, një spital privat, për mjekët e spitalit. Dhe të jetë pjesë e sistemit të punës së mjekëve të spitalit, në mënyrë që t’u japim mundësinë që ta kenë spitalin si vendin ku janë bashkëpronarë dhe të kenë një kapacitet të ardhurash që varion në bazë të performancës.
Plus e dyta është që ne duhet patjetër të fillojmë të vendosim tarifa për turistët”, shtoi kryeministri.
Lini një Përgjigje