TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shkurt 2025, 16:10

SPAK mbetet vetëm, ambasada e SHBA refuzon të ndërhyjë në “luftën” mes politikës dhe drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti

 

SPAK mbetet vetëm, ambasada e SHBA refuzon të ndërhyjë
Dumani me të dërguarën e SHBA

“Pamfleti” ju drejtua me një kërkesë ambasadës amerikane, për të kërkuar një mendim nëse kanë një qëndrim mbi sulmet politike ndaj SPAK...

Prokuroria e Posaçme duket se tani për tani ka mbetur vetëm në betejën përballë politikës. Ardhja e Trump, mungesa e një ambasadori, si dhe bllokimi fondeve nga SHBA i hapi oreksin politikës, e cila kaq po priste dhe tani i janë vërsulur Prokurorisë së Posaçme për ta 'shqyer'.

Sali Berisha kishte muaj që e sulmonte, por duket se tani po e godet akoma dhe më fort Edi Rama, duke treguar qartë se të gjitha ato që kë thënë deri më sot ‘Lideri Global’ për mbështetje ndaj drejtësisë kanë qenë mashtrime.

SPAK u ka futur të dridhurat të gjithëve dhe tani po tentojnë të shfrytëzojnë situatën për të trembur, apo akoma dhe më keq, për ta demoralizuar prokurorët.

Ajo që bie në sy është se ambasada e SHBA nuk është përfshirë në debatet e javëve të fundit. Më parë, ishte ambasada që frenonte çdo sulm dhe akuzë, pasi deklaratat e saj kanë qenë shumë të forta ndaj armiqve të reformës. Mirëpo që kur Trump mori detyrën, ambasada duket sikur është karantinuar.

Pamfleti” ju drejtua me një kërkesë ambasadës amerikane, për të kërkuar një mendim nëse kanë një qëndrim mbi sulmet politike ndaj SPAK. Por ambasada vendosi të mos mbajë një qëndrim të qartë mbi atë që po ndodh.

Ambasada në reagimin e saj, u shpreh se qëndrimi mbetet ai i datës 26 janar, reagim që erdhi pas ndërprerjes së fondeve nga SHBA.

Faleminderit për pyetjet. Ju referojmë në deklaratën për shtyp të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit Tammy Bruce më 26 janar: Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për shqyrtim. Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën Amerika e Para. Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort nuk është thjesht gjëja e duhur për t'u bërë, por është një detyrim moral. Sekretari është krenar që mbron investimet e Amerikës me një rishikim të qëllimshëm dhe të kujdesshëm se si ne shpenzojmë dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë vendit...”, shprehet ambasada.

Vetë ambasada nuk preferoi të mbajë qëndrim si për përplasjen politikë-drejtësi, po ashtu për të dhënë detaje nëse janë larguar të gjithë ekspertët amerikanë nga SPAK, përfshirë FBI dhe DEA.

Me pak fjalë Prokuroria e Posaçme tani është vetëm. Padyshim ka mbështetjen e evropianëve, por pesha e tyre nuk është e njëjtë. Shpresat janë se kjo situatë do të zgjasë deri në maj, kur dhe do të merret vendimi nëse do të rikthehen fondet amerikane apo jo. Po ashtu, pritet që brenda pranverës Trump të vendosë për ambasadorin e ri që do të sjellë këtu dhe do të jetë ai që do të vendosë pikat mbi ‘i’. /Pamfleti

Lini një Përgjigje