Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Në takim pritet të mbajë fjalën edhe kryeministri Edi Rama.
Përgatitja e raportit të pesë deputetëve socialistë në Këshillin e Mandateve i është ngarkuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, ka kërkuar praninë e të gjithë deputetëve në mbledhje.
Në takim merr pjesë edhe vetë Belinda Balluku.
Socialistët nuk kanë shprehur publikisht një qëndrim përfundimtar, por nga diskutimet e brendshme është lënë të kuptohet se largimi i saj nga detyra shihet si një element që nuk justifikon dhënien e autorizimit për arrestim.
Ky argument është përmendur edhe nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, kur njoftoi ndryshimet në qeveri dhe largimin e Ballukut nga posti pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi më pas çështjen dhe konstatoi se një ministër nuk përfiton nga përjashtimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit. Anëtarët e saj u ndanë në interpretimin mbi procedurën që duhet ndjekur për zbatimin e kësaj mase dhe nëse kërkohet apo jo autorizimi i Kuvendit.
Pas këtij zhvillimi, shumica parlamentare propozoi ndryshime në nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke përfshirë ndalimin e pezullimit edhe për anëtarët e qeverisë, presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura.
Seanca plenare e 12 marsit do të shqyrtojë kërkesën për autorizimin e arrestimit. Partia Demokratike ka publikuar raportin e saj duke mbështetur kërkesën e SPAK.
SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun për procedurat e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe po heton gjithashtu shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe. Prokuroria e akuzon për shkelje të barazisë në tendera.
SPAK i leshit. Vazhdon me qoka. Ende nuk gjeti menyre te arrestoj kete monster. Fillo nga Ramuti e Salehu, nese doni shtet ne rend e ligje.