
Socialistët pritet të marrin një vendim politik lidhur me qëndrimin që do të mbajnë në seancën e së enjtes, çka do të thotë se vota e deputetëve të PS-së do të jetë e përcaktuar, në bazë të qëndrimit që do të shprehet përmes raportit...
Grupi Parlamentar i PS-së dhe më pas Byroja e Kuvendit pritet të përcaktojnë edhe qëndrimin zyrtar që do të mbajnë socialistët në seancën e 12 marsit, ditë kur do të shqyrtohet edhe kërkesa e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës.
Grupi Parlamentar socialist do të mblidhet në orën 10:00 dhe dy orë më pas është thirrur një mbledhje e Byrosë së Kuvendit. Në grupin parlamentar do të paraqitet raporti i anëtarëve të PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve ku shprehet edhe qëndrimi i socialistëve lidhur me kërkesën e SPAK-ut. Raporti pritet tu paraqitet socialistëve nga Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve, ndërsa ai vjen pothuajse 3 muaj nga momenti kur SPAK iu drejtua Kuvendit duke kërkuar autorizimin për arrestimin e Ballukut, pasi më parë kishte marrë masën “pezullim nga detyra” dhe ndalim të daljes jashtë vendit.
Sipas raportimeve, këtu pritet të përqëndrohet edhe raporti i socialistëve, duke konsideruar të mjaftueshme masën që tashmë është vënë në zbatim, pasi Kushtetuesja nuk arriti të merrte një vendim lidhur me kërkesën e depozituar nga Kryeministri Edi Rama, sa i takon zgjidhjes së konfliktit të kompetencave mes SPAK e GJKKO-së në njërën anë dhe Qeverisë në anën tjetër, sa i takon pezullimit të anëtarëve të Kabinetit Qeveritar.
Socialistët pritet të marrin një vendim politik lidhur me qëndrimin që do të mbajnë në seancën e së enjtes, çka do të thotë se vota e deputetëve të PS-së do të jetë e përcaktuar, në bazë të qëndrimit që do të shprehet përmes raportit. Në mbledhjen e Grupit të PS-së pritet të jetë e pranishme edhe Belinda Balluku, e cila ka të drejtën të mbajë edhe një fjalë në seancën e 12 marsit, përpara se Kuvendi të shprehet me votë lidhur me kërkesën e SPAK.
Porosia që deputetëve socialistë u është dhënë nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është që të jenë të pranishëm në mbledhje, si dhe të marrin masa për të mos munguar as në seancën e së enjtes, 12 mars, kur do të votohen edhe raportet që do të paraqiten nga PS dhe PD.
Më pas qëndrimi i Grupit Parlamentar do të përcillet edhe në Byronë e Kuvendit, atje ku socialistët dhe demokratët mund të përballen mes tyre, pasi PD pretendon se Edi Rama po mbron aferat ku është i përfshirë vetë. Demokratët në raportin e tyre kanë mbështetur kërkesën e SPAK-ut, duke renditur edhe argumentet që sipas tyre, Prokuroria Speciale duhet mbështetur dhe kërkesa duhet të miratohet pa u ‘tërhequr më zvarrë’. Debati që pritet nga Byroja është koha që mund të ndahet mes demokratëve dhe socialistëve për të diskutuar në sallën e Kuvendit.
Gjithsesi, ajo çka dihet deri më tani është fakti se Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të paraqitet në seancë me dy raporte, ndërsa nuk ka pasur asnjë përpjekje mes palëve për të integruar të dy raportet në një të vetëm. Arsyeja është sepse palët, PS dhe PD, kanë qëndrim krejt të kundërt lidhur me kërkesën e SPAK në raport me imunitetin e Belinda Ballukut.
Në këto kushte, duket se seanca e së enjtes përtej tensioneve që mund të prodhojë është një pasqyrë e konfigurimit të numrave në Kuvend, ku socialistët e Edi Ramës kanë plot 83 mandate, pa përfshirë këtu 3 mandatet e PSD-së, që hera herës ndihmon me vota, në nisma të caktuara, Qeverinë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje