TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shkurt 2025, 10:54

SPAK e mori nën hetim për dosjen 'Veliaj', reagon deputetja e PS: Çështjen do ta sqaroj aty ku duhet, kam dinjitet

Shkruar nga Pamfleti
SPAK e mori nën hetim për dosjen 'Veliaj', reagon deputetja
Klotilda Bushka

Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në njoftimin zyrtar të SPAK bëhet me dije se po hetohet edhe deputetja e PS-së, njëherë kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Kryetarja e Komisionit te Ligjeve, Klotilda Bushka, deputete e PS është regjistruar nga SPAK si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases Klotilda Bushka. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë”, thuhet në reagimin e SPAK.

Për këtë akuzë ka reaguar vetë Bushka ditën e sotme.

“Ju sqaroj që ky është një komision ligjesh dhe jo komision hetimor, unë jam drejtuese e komisionit të ligjeve dhe jam duke ushtrua detyrën time. Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku sqarohen. Sa i takon cështjes së dinjitetit unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do jem”, tha Bushka.

Lini një Përgjigje