TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Janar 2026, 19:23

Skenarët e protestës së opozitës/ A do të rrethohet Kryeministria, çfarë pritet të ndodhë në Tiranë?

Shkruar nga Pamfleti
Skenarët e protestës së opozitës/ A do të rrethohet
Sali Berisha gjate nje proteste

Në protestën e 24 janarit çelësi që do të përcaktojë strategjinë që do të ndiqet është pikërisht pjesëmarrja…

Opozita ka thirrur pasditen e së shtunës një protest kundër Edi Ramës, ndërsa lidershipi i PD-së, ka rritur “temperaturën” duke ashpërsuar gjuhën politike me paralajmërime që i drejtohen Kryeministrit. Protesta është parashikuar në nisë në orën 17:00 dhe sipas organizatorëve ajo do të zgjasë rreth 3 orë, edhe pse asgjë nuk është e përcaktuar.

Në dallim nga protestat në formën e ‘Foltoreve’ që organizohen çdo të hënë para Kryeministrisë, për tubimin e së shtunës pasdite vëmendja e demokratëve është përqëndruar te pjesëmarrja.

Duket se kjo protestë do të përdoret si një demonstrim force përsa i takon mbështetjes popullore, ndërsa prej disa javësh pothuajse i gjithë grupi parlamentar i PD-së është angazhuar në takime, sipas zonave, me strukturat partiake, për të siguruar një pjesëmarrje sa më të lartë. Dhe së dyti është kohëzgjatja e protestës. Zakonisht protestat kanë përfunduar 3 orë pas nisjes, ndërsa nuk dihet nëse pasditen e së shtunës, PD do të arrijë të mbajë më gjatë në shesh mbështetësit e saj.

Një variant është që tubuesit të qëndrojnë në bulevard deri në mesnatë, por gjithçka duket se do të ketë lidhje jo thjesht me vendosmërinë e qytetarëve që do t’i përgjigjen thirrjeve për të protestuar, por edhe masivitetit të protestës. Ndaj dhe në protestën e 24 janarit çelësi që do të përcaktojë strategjinë është pikërisht pjesëmarrja.

Referuar kohës kur do të mbahet protesta, por edhe kushteve atmosferike, e gjithë vëmendja është te Tirana, duke përqëndruar energjitë për të bindur banorët e kryeqytetit të dalin në shesh dhe të protestojnë.

Historia e protestave në Tiranë ka treguar se përsa kohë tubimet janë pa incidente ka pjesëmarrje të lartë, por kur nisin përplasjet formati i protestës nis dhe rrudhet.  

Një pjesë e konsiderueshme e protestuesve janë udhëzuar të mblidhen në selinë e PD-së, prej nga ku do të niset drejt godinës së Kryeministrisë edhe kreu demokrat, Sali Berisha, i shoqëruar nga një pjesë e madhe e deputetëve. Të tjerë mbështetës të opozitës do të marshojnë nga sheshi Skënderbej drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të ndalur pranë podiumit nga ku do të mbahen fjalimet.

Temperaturat politike janë rritur, teksa në seancën e fundit plenare nuk munguan debatet, akuzat, batutat mes kreut demokrat dhe Kryeministrit. Një ditë para protestës, Berisha ftoi Ramën që të qëndronte në zyrë “nëse do të ishte burrë” dhe të priste qytetarët, duke dhënë sinjale për një protestë të fortë, që duket se ka lidhje më shumë me “rritjen e adrenalinës” që militantëve të PD-së se sa me ndonjë paralajmërim serioz.

Por cilët janë skenarët e protestës?

Skenari i parë është ai që ka ndodhur gjithmonë, një protestë që mbahet nën mbikqyrjen e organizatorëve, dhe gjithçka është e komanduar. Kjo formë proteste mund të prodhojë përplasje sporadike mes protestuesve dhe forcave të rendit, apo edhe incidente të vogla si hedhja e molotovëve, si për të tërhequr vëmendjen, por gjithçka ndalet këtu, pa krijuar situata që mund të dalin jashtë kontrollit. Këto forma janë aplikuar vazhdimisht nga opozitat dhe përtej e vetmja gjë që kanë prodhuar janë debatet mbi shifrat e pjesëmarrësve, ku organizatorët flasin për mijëra e mijëra dhe pala tjetër e minimizon në maksimum.

Skenari i dytë është që protesta të zgjasë në kohë, qytetarët të përpiqen të vendosin në një rrethim godinën e Kryeministrisë, gjë që mund të çojë në precipitime të situatave, përplasje, tensione të vazhdueshme dhe sulme. Nëse i referohemi gjuhës politike të Berishës që paralajmëron Ramën dhe e konsideron protestën e 24 janarit si vendimtare për rrëzimin e atij që e konsideron si “regjim”, mund të aplikohet edhe kjo formë proteste. Por më pas vijnë deklarata zbutëse nga deputetë demokratë që thonë se do të distancohen nga incidentet, molotovët dhe se nuk thërrasin protesta për t’i kthyer njerëzit “mish për top”. Dhe këto komente bëhen nga ligjvënës që njihen si “besnikët” e Berishës në selinë blu. Gjithsesi në këtë variant, dy janë elementët që janë përcaktues: pjesëmarrja e lartë dhe vendosmëria e tyre për të qëndruar sa më gjatë.

Skenari i tretë është një miksim mes dy skenarëve, ku një protestë e kontrolluar, hera herës shpërthen, një format ky i aplikuar edhe më parë, që prodhon tensione. Është një model që tërheq vëmendje më të madhe, veçanërisht ndërkombëtare, duke u pasqyruar në mediat e huaja dhe kthen vëmendjen nga Tirana. /Pamfleti/

 

 

protesta berisha skenare

2 Komente

  1. L
    Leone

    Asgjë nuk ka për të ndodhur!! Berisha bën protesta plr të forcuar pozitat e tij si lider i PD dhe i opozitës.

    1. m
      matrapazi politik

      Ike ore mashtrus dhe shkaterrimtar i opozites. Edhe per kohen e protestes dhe planin e zhvillimit te saj ke kordinuar me Edi Ramen. Ne perfundim te saj asnje gje nuk do besh, po do thuash se moralisht eshte rrezuar Rama nga detyra. Ti do hedhesh molotove dhe parrulla kunder Rames. Asgje me shume. Si nuk te vjen zor kur u kerkon studenteve te veprojne si ne Beograd dhe nga ana tjeter bashkepunon nen rrogoz me Ramen dhe voton bashke me te gjera qe ju interesojne te dyve

      Lini një Përgjigje