“I paprekshmi” i Tropojës, Irena Gjoka bllokon dosjen e Rexhë Byberit
Nuk kanë fund skandalet me Rexhë Byberin e Tropojës. Edhe pse ka vjedhur miliona, sërish drejtësia vijon të jetë e dobët përballë tij. SPAK arriti ta hetojë dhe e vendosi në arrest shtëpie, por gjërat kanë ndryshuar rrugës dhe Byberi sot është kthyer atje ku ishte: në detyrë dhe i plotfuqishëm.
Më 4 mars 2025, SPAK dërgoi për gjykim kryetarin dhe zv/kryetarin e Bashkisë së Tropojës. Rexhë Byberi dhe Abedin Kërrnaja akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim.
“Nga të dhënat ka rezultuar se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 ‘Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit’, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak”, shprehej SPAK.
Por edhe pse kanë kaluar 9 muaj nga dorëzimi i dosjes në GJKKO, ende nuk ka nisur gjykimi. Janë zhvilluar mbi 15 seanca dhe gjyqtarja Irena Gjoka nuk e kalon çështjen për gjykim. E njëjta gjyqtare ndryshoi dhe masën e sigurisë duke e liruar Byberin nga “arresti shtëpiak”.
Më 1 gusht, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e kryebashkiakut për lirimin nga arresti shtëpiak. Për Byberin, GJKKO caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Por duket se “vesi del me shpirtin”. Sipas burimeve të “Pamfletit”, me rikthimin në detyrë, Byberi ka filluar avazin e vjetër, atë të abuzimeve me tenderët. Dhe abuzimi më i fundit është me tenderin “Ndërtim i rrugës Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje”, me fond limit 82.9 milionë lekë, i cili ka 3 vendime KPP për t’u zbatuar dhe nuk zbatohet, dhe një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit.
“1. Të pranojë pjesërisht ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik "Cara" SHPK për procedurën e prokurimit "E hapur", me nr. REF-52709-06-27-2025, me objekt: "Ndërtim Rruga Auto Kika - Gj. Dragobisë – Qafë Pajë", me fond limit 82,911,061.31 lekë pa TVSH, zhvilluar më datë 15.07.2025 nga autoriteti kontraktor, Bashkia Tropojë.
2. Autoriteti kontraktor të rivlerësojë procedurën e mësipërme të prokurimit, në përputhje me konstatimet e Komisionit të Prokurimit Publik në këtë vendim.
3. Autoriteti kontraktor, brenda 5 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera”, thuhet në vendimin e KPP.

Më 3 nëntor 2025, Gjykata e Apelit Administrative ka marrë vendimin Nr. 92 duke vendosur: “Refuzimin e kërkesë-padisë së Bashkisë Tropojë dhe lënien në fuqi të Vendimit të KPP-së”. Por KVO e bashkisë nuk vepron, me urdhër të Rexhë Byberit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje