Një opozitë e rilindur, fatmirësisht nuk ka shumë nevojë për të kërkuar gjatë një identitet politik. Ai është i qartë, në kokat e njerëzve që sinjalin e kanë dhënë sa herë i është dhënë mundësia. Pra kur kanë votuar...
Ka një kaos total në opozitën aktuale në idenë apo vizionin sesi mund të kemi nesër një konglomerat fitues kundër Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme. E kjo ka shumë logjikë, pasi synimi i palëve nuk është për të nxjerrë më të mirën që shoqëria dëshiron, por atë që kanë në kokë Sali Berisha e Ilir Meta, apo edhe të mbijetuarit e grupit të Alibeajt.
Sali Berisha ka një ide krejt dekadente që po e shpërndan me njerëzit e tij mediatik. Kjo ide përkthehet kështu: të bashkohen të gjithë faktorët opozitarë: Berisha, PD e vulës, Arlind Qori, Marko Dajti e të gjithë të tjerët që të bëhen një front për të mundur Edi Ramën.
Ky lloj fronti, që ngjan me një turli me gjithëfarë perimesh po pa bazë mishi brenda, do të dalë një vakt që mund të mbushë por nuk shijon. Çdo turli nuk është e ngrënshme nëse ai nuk ka si bazë të saj ragunë e mishit, e cila me perimet shton shijen, por që bazën e ka te proteinat, qepët, karrotat e natyrisht salcën e domateve.
Kështu është edhe opozita, ajo nuk mund të jetë e shijueshme për njerëzit nëse nuk e ka bërthamën e saj, të pëlqyeshme për njerëzit.
Një opozitë tërheqëse nuk është një shumatore matematike perimesh, që në këtë rast mund të jenë edhe të stinës siç është Arlind Qori, apo të kohës së qepës siç është Marko Dajti.
Në këtë version është Berisha e Meta që janë një lloj mish kau që nuk marinohet as me vaj e as me uthull. Sado që të zihen pa fund, të “gjorët” i thënshin, nuk kanë më yndyrë për të dhënë.
Ndërkaq, pala e Alibeajt, më mirë me thënë të mbijetuarit në PD-në e vulës, më shumë sesa të ardhmen e opozitës, mendojnë për vete. Ose më saktë, të ardhmen e opozitës e lidhin me fatin e tyre politik. E këtu problem është më i rëndë se ai vizioni që ka Berisha e Meta.
Një opozitë e rilindur, fatmirësisht nuk ka shumë nevojë për të kërkuar gjatë një identitet politik. Ai është i qartë, në kokat e njerëzve që sinjalin e kanë dhënë sa herë i është dhënë mundësia. Pra kur kanë votuar.
Është e qartë se në zgjedhje si alternativë, njerëzit presin Partinë Demokratike. Por një PD të rithemeluar në koncept e natyrisht në ide e njerëz.
Kjo mund të ndodhë vetëm nëse edhe pa vullnetin e Sali Berishës, dikush, pra nga PD zyrtare të ftojë në një proces gjithëpërfshirës të gjithë ata njerëz që duan të jenë pjesë e një ndryshimi të madh. Një ndryshim që si bazë ka anëtarësimin në PD. Pra kush është ai që kërkon një opozitë të re, duhet të bëhet anëtar i Partisë Demokratike. E ky proces duhet të jetë transparent, i hapur, e pa ndalesa.
Modelet janë si në SHBA ashtu edhe në Europë. Krijim klubesh, organizatash, shoqatash, ku të gjithë njerëzit me ide të reja në territor të shkrihen si pjesëtar të PD. Të anëtarësohen, të paguajnë kuotat, e si rrjedhim të jenë pjesë e zgjedhjeve të brendshme të një opozite të re, të hapur e të madhe. Por kujdes, këtu qëndron problemi. Pasi sa rritet opozita, aq më tepër duhen shkruar rregulla të qarta, strikte e sa më shumë demokratike, që i përfshin të gjithë në kosmosin opozitar.
Pas një faze të gjatë disamujore, të anëtarësimit në PD të hyrjeve të reja nga shoqëria, të hapet një konstituente, një asamble e madhe, ku të zgjidhen në mënyrë simetrike përfaqësues nga të gjitha organizmat e opozitës. E përfaqësuesit apo deputetët e kësaj konstituente të opozitës të miratojnë një program e statut, i cili duhet diskutuar shumë kohë përpara se të miratohet në Kuvend. Pra në asamblenë konstituente të opozitës të vendoset si do jetë “gjëja e re”, në aspektin e programit dhe terrenit që do përfshijë kjo opozitë. Së bashku me statutin që duhet të jetë kushtetuta e saj, e si shtesë librin e rregullave për zgjedhjet, i cili duhet konsideruar i pandryshueshëm. E pas miratimit të dokumenteve, duhet zgjedhur një trupë e besuar dhe prestigjoze, që të drejtojë procesin zgjedhor brenda opozitës. I gjithë ky proces të bëhet brenda reflektorëve të hapur të publikut, ku çdo ide, debat apo diskutim të mos ketë komplekse. Por konstituentja duhet të ndajë “shapin nga sheqeri”, ti vendosë pikat mbi “I” në relacionin që ka opozita me SHBA, Perëndimin e Non Gratën e Sali Berishës. Por edhe me drejtësinë e re. Nëse Sali Berisha kërkon të rezistojë, pjesa tjetër duhet ta sfidojë me votë; o pranon vullnetin e shumicës, o largohu! Një opozitë e re nuk mund të jetë peng e Non Gratave. Nuk është aspak keq nëse miratohet edhe një dokument për vlerësimin e figurës së Berishës meqë ka qenë lider historik i PD-së, por e mira është që këtë ta bëjnë historianët. Politika e opozitës të ecë përpara, madje më përpara se Edi Rama, e ta sfidojë në ide, alternativa, e mbi të gjitha në njerëz. Ku është pika e dobët e mazhorancës së sotme që varet vetëm nga një person.
Sa më shumë njerëz të aftë, e me integritet që të lançohen, aq më shumë humbet Rama. Por kujdes, Berisha e Meta, nuk duhet të jenë përballë, ndryshe, kjo nuk është më opozitë, por mazhoranca e ish-opozitës që sot po mbretëron./Pamfleti
Lini një Përgjigje