
Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk është paraqitur ditëne sotme në GJKKO për të dëshmuar për tregjedinë e Gërdecit, një paralele kjo me të atin që refuzon të paraqitet në SPAK për akuzat për dosjen 'Partizani'.
Sipas SPAK, djali i ish-kryeministri Sali Berisha nuk banon në adresën e deklaruar.
Ndërkohë seanca e radhës do të mbahet në datë 27 në orën 09:00.
Sot për herë të parë, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha duhet të dëshmonte në GJKKO për procesin e masakrës së Gërdecit.
Seanca filloi në orën 09.00 dhe bashkë me Shkëlzen Berishën që nuk u paraqit u mor në pyetje edhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Thirrja e Shkëlzen Berishës në të njëjtën seancë me Aldo Bumçin, lidhet me faksin që ky i fundit i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, në pjesën e sipërme të dokumentit në krahun e majtë.
Përveç këtij dokumenti, djali i ish-kryeministrit pritet të pyetet edhe për takime me ministrat e kohës në qeverinë Berisha dhe një telefonatë me Fatmir Mediun menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona e mbi 300 mbetën të plagosur.
Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec. Më 26 janar 2023, Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi, janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria, ndërsa në gjykatë ata mbyllin listën e parë prej 52 dëshmitarësh.
Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, u paraqit për herë të fundit në dyert e SPAK më 26 janar 2023 ku dha shpjegime lidhur me rrethana të konstatuara nga hetimi i ngjarjes tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.
Pasi doli nga zyrat e SPAK, Berisha deklaroi para medieve se ishte thirrur si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit për çështjen e Gërdecit.
Ai pohoi se kishte dhënë shpjegime edhe për një shkresë të Ministrisë së Drejtësisë në kohën kur drejtohej prej Aldo Bumçit, ku gjendet shënimi “për Shkëlzenin”.
“Unë s’kam asnjë lidhje me këtë. Ajo që prokuroria duhet t’i thotë publikut pas 15 vjetësh është se kush e ka bërë atë shënim. Mendoj që prokuroria pa diskutim duhet t’i thotë publikut e kujt është kaligrafia. Ka 15 vjet që prokuroria nuk i thotë publikut kush e ka bërë atë shënim,” tha Shkëlzen Berisha, duke pretenduar se në origjinalin e faksit nuk ekziston asnjë shënim i tillë.
Lidhur me një bisedë telefonike që ka pasur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu kur ndodhi ngjarja tragjike, Shkëlzen Berisha deklaroi se nuk kishte të bënte me çështjen e Gërdecit.
Sipas tij, ishte biseduar për gjëra të natyrës familjare.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.
Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, por kjo gjykatë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen, duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.
Lini një Përgjigje