
Kryetari i grupit të PS-së, Bledi Çuçi deklaroi se mazhoranca nuk heq dorë nga marrëveshja me Italinë edhe pse Kushtetuesja e pezulloi.
“Është e drejtë e tyre ne do të zbatojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nuk tërhiqemi, ne do i qëndrojmë për të treguar se ne jemi një vend europian”, tha Çuçi.
Çuçi u shpreh se mazhoranca nuk bën asnjë hap pas as për të lejuar plotësimin e tre kushteve të opozitës. Sipas tij opozita po krijon kaos në Kuvend për të mbrojtur Berishën.
“Kërkesa duhet sjellë sipas përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk do të pengojmë asnjë komision hetimor parlamentar. Prandaj kemi përgatitur një set ndryshimesh. Nuk është çështje e hapit pas, por zbatimit të ligjit.
Për komisionet hetimore kemi thënë që objekti të jetë në bazë të objektit të Gjykatës Kushtetuese. Ata e kanë sebep flakën për arsye se pensionisti në krye të PD-së i ka marrë peng të gjithë. Ata duan të djegin parlamentin për të mbrojtur Berishën. Pa diskutim qëndrimi ynë është i qartë. Ne nuk kemi diskutuar as mandatin e kolegëve tanë kur e ka kërkuar SPAK-u”, shtoi Çuçi.
Gjykata Kushtetuese pezulloi dje marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Gjyqtarët kanë vendosur të kalojnë për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e 30 deputetëve të Partisë Demokratike që sjell automatikisht pezullimin e të gjjtha procedurave për miratimin e kësaj marrëveshje.
Marrëveshja me Italinë do të shqyrtohet në datën 18 janar nga Kushtetuesja.Gjykata ndërkaq i ka kthyer për plotësim dokumentash ankimimin që Lulzim Basha kishte depozituar për këtë çështje.
Pas këtij vendimi, marrëveshja me Italinë u hoq nga rendi i ditës në seancë plenare.
Parlamenti duhet të presë deri sa gjykata të shpallë vendimin përfundimtar për marrëveshjen për emigrantët.
Lini një Përgjigje