TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Dhjetor 2025, 09:15

Shqipëria pajiset me "Javelin", ministri Vengu fsheh kostot e sistemit raketor të blerë në SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka shpërndarë lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, por nuk ka dhënë shumë detaje sa pajisje të tilla ka blerë Shqipëria dhe sa kanë kushtuar.

Shqipëria pajiset me "Javelin", ministri Vengu fsheh kostot e
Shqipëria është pajisur me sistemin raketor “Javelin”

Shqipëria është pajisur me sistemin raketor “Javelin” i prodhuar në SHBA.

Lajmin e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përmes një postimi në rrjetet sociale, por nuk ka dhënë shumë detaje sa pajisje të tilla ka blerë Shqipëria dhe sa kanë kushtuar.

“Ardhja e sistemeve Javelin, falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.”, shkruan Vengu.

Raketat Javelin prodhohen nga bashkëpunimi mes Raytheon/Lockheed Martin Javelin JV. Sistemi raketor Javelin kushton rreth 178,000 dollarë për njësi së bashku me një raketë. Ndërsa vetëm një raketë kushton 78,000.

Çfarë është sistemi “Javelin”?

“Javelin” është një prej armëve më të sofistikuara në botë, që përdoret për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara. Ai qëllon objektivin në mënyrë automatike pas lëshimit, duke i mundësuar ushtarit që të mbrohet dhe të evitojë kundërsulmet.

Duke përdorur një profil të harkuar në krye, Javelin ngjitet mbi objektivin e tij për shikueshmëri të përmirësuar dhe më pas godet aty ku objektivi është më i dobët. Për të qëlluar, gjuajtësi vendos një kursor mbi objektivin e zgjedhur.

Njësia e lëshimit të komandës më pas dërgon një sinjal të kyçjes përpara lëshimit të raketës. “Javelin” mund të gjuaj në mënyrë të sigurt nga brenda ndërtesave ose bunkerëve.

Sistemet Javelin janë të njohura për drejtimin me rreze infra të kuqe, aftësinë e sulmit nga lart (duke goditur pjesën më të dobët të blindimit të tankeve) dhe për mundësinë e përdorimit ditë e natë, duke i ofruar operatorit nivel të lartë mbijetese.

Sistemi është zhvilluar nga Raytheon dhe Lockheed Martin dhe përbëhet nga Njësia e Komandimit dhe Lëshimit (CLU) për identifikimin dhe shënjestrimin e objektivit, si dhe nga raketa vetë. Kjo u lejon ushtarëve të qëllojnë dhe të marrin menjëherë mbulim, pa pasur nevojë të qëndrojnë të ekspozuar pas lëshimit.

Shqipëria porositi raketat antitank Javelin në 2022

Shqipëria është një nga disa vende që ka porositur për të blerë raketat antitank Javelin të prodhurara nga konsorciumi amerikan Javelin Joint Venture, e cila përbëhet nga kompanitë Lockheed Martin Corp dhe Raytheon Technologies Corp.

Lajmin e bëri të ditur Lockheed Martin në një njoftim për shtyp ku raportoi se blerjet e Shqipërisë, Norvegjisë, Letonisë dhe Tailandës janë pjesë e një porosie me vlerë 316 milionë dollarë nga Pentagoni.

Numri i raketave dhe vlera porosisë nga Shqipëria nuk bëhet e ditur.

Javelin është një sistem raketor që ka filluar të përdoret që nga viti 1989 dhe që pritet të përdoret së paku deri në vitin 2050, sipas kompanisë. Ajo kushton rreth 250 mijë dollarë për copë por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë.

Kompania prodhuese ka marrë kërkesa të shumëfishta nga vende të ndryshme të botës pas suksesit të demonstruar të këtij sistemi në luftën e Ukrainës, ku ushtria e Ukrainës arriti të mposhtë tanket e panumërta ruse falë efikasitetit të këtij sistemi.

Kompania pret që të rrisë prodhimin në rreth 2100 copë këtë vit.

sistemin raketor “javelin” shqipëria sistemi raketor

Lini një Përgjigje