Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula e qujati sfilatë protestën kombëtare të PD-së, të mbajtur ditën e djeshme para Kryeministrisë. Ai shtoi se ideja e një qeverie teknike është e vjetër dhe nuk ka siguri se kush do ta udhëheqte atë.
“Protesta dje ishte sfilatë për mendimin tim. Edhe një sfilatë ka pjesëmarrje. E quaj sfilatë sepse pritshmëritë u ngritën shumë lart; ka militantë të PD që besonin se do rrëzohej qeveria, dhe shkuan, dhe mirë bënë. Më shumë duhet të ishin, sepse protestat janë të rëndësishme. Por problemi është pse u organizua protestë. Për deklarata? Të besosh se pas 35 vitesh do e sjellë Sali Berisha ndryshimin, nuk e sjell dot më. Nuk kam asgjë personale me Berishën, por dëgjoj çfarë thonë njerëzit: 10 njerëz, 7 thonë do votoj Ramën sepse edhe pse është e korruptuar, qeveria e Berishës ka vrarë njerëz. Unë si qytetar dua që në Shqipëri të funksionojë demokracia, të ndërrohen elitat dhe të vetëpastruar”, tha Sula në emisionin “Studio24” në News24.
Ish-deputeti kritikoi gjithashtu strategjinë e PD-së dhe lidershipin e Berishës, duke theksuar mungesën e bashkimit të opozitës.
“Opozita e vërtetë fatkeqësisht është SPAK dhe GJKKO. PD dhe Berisha nuk mendojnë të bashkojnë gjithë vagonat e opozitës, mbajnë vetëm lokomotivën e vetë. Sa kohë PD vijon me këtë lidership, shanset janë zero”, theksoi ai.
Lini një Përgjigje