TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Dhjetor 2025, 19:32

"Edi Rama nuk ikën me molotov", thirrja e Adriatik Lapajt: Të bashkohemi pa flamuj partiakë

Shkruar nga Pamfleti

"Edi Rama nuk ikën me molotov", thirrja e Adriatik Lapajt:

Nga çadra përballë Kryeministrisë, ku ndodhet prej më shumë se dy javësh, Adriatik Lapaj ka komentur protestën e opozitës dje. Sipas tij, Edi Rama nuk largohet me molotov e kapsolla, por me qëndresë qytetare dhe presion të organizuar ndaj hajdutërisë që ka kapur shtetin.

Në A2CNN, Lapaj kujtoi se 16 ditë më parë kishte dalë i vetëm me një karrige përballë Kryeministrisë, në një kohë kur vendi “po përjetonte një nga vjedhjet më barbare në historinë e tij”, por askush nuk protestonte. Sot, sipas tij, lëvizja është kthyer në një reagim të gjerë qytetar, me shtim të vazhdueshëm të pjesëmarrësve dhe me protesta që po rriten nga dita në ditë.

Ka ardhur koha që secili të shtrijë dorën dhe të bashkohet në një front të madh kundër të keqes së përbashkët. Mund të mos e duam njëri-tjetrin, por duhet të pranojmë që kjo është koha për bashkim, jo për sherre mes opozitës”, u shpreh ai.

Lapaj paralajmëroi se protesta e radhës do të jetë edhe më masive, ndërsa theksoi se nuk është momenti për interesa partiake, por për një mision të përbashkët: çlirimin e vendit nga kapja dhe korrupsioni.

Qeveritë nuk ikin me molotov 2-orësh. Ikin me qëndresë të gjatë, me presion real dhe me një popull që e merr seriozisht vetë shpëtimin e vet. Nuk ka më kohë për t’u ndarë në ngjyra politike”, tha Lapaj.

Protesta që nisi me një karrige, si akt simbolik personal, po shndërrohet dita-ditës në një thirrje kombëtare për bashkim qytetar, ku Lapaj kërkon të përfshihen edhe socialistët e zhgënjyer, njerëzit pa parti dhe të gjithë ata që nuk duan më të jetojnë në një shtet të kapur nga klientelizmi dhe korrupsioni.

Lini një Përgjigje