
Përplasja publike mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt ka zgjuar jo vetëm interesin e opinionit, por edhe reagimin e politikanëve të tjerë që kanë pasur përplasje apo negociata me koalicionin “Shqipëria Bëhet”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar me një postim ironik në rrjetet sociale, duke rikujtuar një episod që e lidh drejtpërdrejt me Adriatik Lapajn. Pasi Berisha e la jashtë listave, Sula hyri në negociata me Lapajn, por u tërhoq shpejt.
“Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë”, shkruan Sula, duke e lidhur këtë me ngërçin që po përjeton Lapaj për shkak të mosdorëheqjes së kandidatëve të listës së mbyllur, çështje që po e kërcënon seriozisht me humbjen e mandatit të deputetit.
Sula shprehet se gjatë një bisede me Lapajn para zgjedhjeve, ai ishte përballur me të njëjtën ide: që kandidatë në listën e mbyllur do të jepnin dorëheqje për të lejuar hyrjen në Kuvend të atyre që fitonin më shumë vota në listën e hapur. Por deputeti demokrat thotë se atëherë kishte kërkuar të vendoste një familjar në listën e mbyllur, si garanci, dhe se Lapaj i kishte kërkuar thjesht “besim”.
“’Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë’, kjo është ajo që po ndodh me Adriatik Lapajn, të cilin e paralajmërova për një skemë të tillë, kur më tha se kandidatët në listë të mbyllur në Elbasan do të jepnin dorëheqjen nëse unë do të kandidoja në këtë qark për subjektin që ai përfaqëson. Në atë kohë i kërkova zotit Lapaj që në listë të mbyllur të vendosja një familjarin tim dhe ai/ ajo të jepte dorëheqjen pasi të fitoja në listë të hapur. Zoti Lapaj kërkonte që unë të besoja te ajo që sot po e lë atë jashtë parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregon se partitë e reja kanë mëndësitë e partive të vjetra….”, shkruan Sula.
Lini një Përgjigje