TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Shkurt 2026, 13:53

SHBA-të i dorëzojnë raketat ‘Javelin’ Shqipërisë, Pirro Vengu jep lamtumirën si ministër i Mbrojtjes

Shkruar nga Pamfleti
SHBA-të i dorëzojnë raketat ‘Javelin’
SHBA-të i dorëzojnë raketat ‘Javelin’ Shqipërisë,

Këtë të premte, më 27 shkurt, u mbajt ceremonia e dorëzimit të sistemeve raketore Javelin nga SHBA në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr.

Sistemet Javelin janë sisteme të avancuara raketore kundërtanke, të bartshme nga një person, me funksionim “zjarr dhe harro” (fire-and-forget), të përdorura nga këmbësoria për të shkatërruar mjete të blinduara, bunkerë dhe objektiva të tjera.

Ato janë të njohura për drejtimin me rreze infra të kuqe, aftësinë e sulmit nga lart (duke goditur pjesën më të dobët të blindimit të tankeve) dhe për mundësinë e përdorimit ditë e natë, duke i ofruar operatorit nivel të lartë mbijetese.

Kjo u lejon ushtarëve të qëllojnë dhe të marrin menjëherë mbulim, pa pasur nevojë të qëndrojnë të ekspozuar pas lëshimit.

Ndërkohë në ceremoni merr pjesë ministri i Mbrojtjes në largim Pirro Vengu.

“Nuk është thjesht një simbol force dhe kapaciteti, është dhe një mesazh qartësie strategjike. Shpesh herë më bëjnë pyetje pse vendet, sapo t’i jepet mundësia shpenzojnë kaq pak në mbrojtje. Kur përpiqem ta llogjikoj përgjigjen, e vetmja gjë që më vjen ndërmend është të them që siguria është e padukshme kur funksionon. Paqja krijon iluzionin se është një gjendje natyrore dhe investimi në mbrojtje shpeshherë nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme, por shmang kriza që askush nuk do t’i përjetojë.”, tha ministri Vengu.

Vengu u shpreh se vendi ynë nuk po armatoset për të sulmuar, por për t’u mbrojtur, duke theksuar se mbrojtja nuk është luks.

“Shqipëria ka vendosur të investojë në ushtri në kohë paqeje. Dua të falënderoj partnerët amerikanë, që na japin një mbështetje domethënëse. Shqipëria ka vendosur që të investojë me plan buxhetor. Ne po rrisim besueshmërinë, duke shkurajuar rreziqet me kapacitete reale. Shqipëria nuk armatoset për të sulmuar ndonjë vend, por për mbrojtjen e saj. Mbrojtja nuk është luks, por është kusht ekzistence për një shtet serioz, sidomos për procesin e integrimit europian. Shtetet serioze investojnë në kohën e duhur dhe jo kur është tepër vonë.”, tha Vengu.

Dje kryeministri Edi Rama njoftoi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndryshime në kabinetin qeveritar. Një nga këto ndryshime përfshin largimin e Pirro Vengut dhe zëvendësimin e tij me Ermal Nufinn.

shba-të i dorëzojnë raketat ‘javelin’ shqipërisë

Lini një Përgjigje