TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Shkurt 2026, 10:13

Shkarkimet në kupolë, mediat e huaja jehonë lëvizjeve në qeveri: BE po monitoron nga afër dojset e korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti

Zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë thënë Reuters se po ndjekin nga afër mënyrën se si Rama po i trajton çështjet e korrupsionit. Sipas tyre, lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet thelbësore për përpjekjen e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

Shkarkimet në kupolë, mediat e huaja jehonë lëvizjeve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Lëvizjet e fundit të kryeministrit Edi Rama në kabinet kanë bërë jehonë edhe në mediat e huaja.

Një artikull i Reuters vendos në qendër të vëmendjes një nga zhvillimet më të rëndësishme politike në vend, në një moment kur Shqipëria ndodhet nën vëzhgim të shtuar për çështjet e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Shkarkimi i një prej figurave më të larta të qeverisë, i lidhur me një hetim të SPAK-ut, pritet të ndikojë jo vetëm në dinamikën e brendshme politike, por edhe në raportet e vendit me Bashkimin Evropian.

Artikulli i plotë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkarkoi të enjten në mbrëmje zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila përballet me akuza për manipulim të tenderëve publikë. Këto akuza kanë nxitur protesta nga opozita.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e mori Ballukun të pandehur në dhjetor, nën dyshimin se ka ndërhyrë në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021, me vlerë mbi 200 milionë euro.

Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars nëse do t’i heqë asaj imunitetin, çka do t’i hapte rrugë arrestimit nga SPAK. Shqipëria, e cila synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, përballet me presion nga blloku për të forcuar luftën kundër korrupsionit.

Balluku, e cila mbante postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, i mohon akuzat.

Rama, në pushtet që prej vitit 2013, e kishte mbështetur për disa muaj dhe nuk dha arsye për shkarkimin e saj të enjten, në kuadër të një riorganizimi që përfshiu shtatë poste në qeverinë e drejtuar nga Partia Socialiste, përfshirë ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm.

“Kryeministri e ka bërë të qartë që në fillim të këtij mandati se ndryshimet në kabinet mund të jenë më të shpeshta, ndërsa gjatë afro katër muajve të fundit ai ka refuzuar tri herë dorëheqjen e zonjës Balluku,” deklaroi për Reuters zëdhënësja e qeverisë, Manjola Hasa, përmes një reagimi me email.

Balluku është konsideruar si një figurë në rritje brenda Partisë Socialiste dhe është parë si e favorizuar nga Rama si pasuese e mundshme. Që prej marrjes së saj të pandehur, Partia Demokratike, forca më e madhe opozitare në vend, ka organizuar protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Qeveria është përballur gjatë vitit të fundit me disa skandale korrupsioni.

Gjatë protestave, disa demonstrues kanë hedhur shishe me lëndë djegëse, ndërsa si policë ashtu edhe protestues kanë mbetur të lënduar.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë thënë Reuters se po ndjekin nga afër mënyrën se si Rama po i trajton çështjet e korrupsionit. Sipas tyre, lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbetet thelbësore për përpjekjen e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

 

shkarkimet në kupolë dojset e korrupsionit

Lini një Përgjigje