TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Shkurt 2026, 12:51

Presidenti Begaj takim me homologen e tij në Maqedoninë e Veriut: Respektoni marrëveshjen kornizë të Ohrit!

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti Begaj takim me homologen e tij në Maqedoninë e Veriut:
Presidenti Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me homologen e tij nga Maqedonia e Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë një vizite zyrtare në RMV. Në fokus të bisedës kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe procesi i integrimit europian.

Gjatë deklaratës së përbashkët, Begaj vlerësoi raportet mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.

“E nderuar presidente, zonja e zotërinj. Është gjithmonë kënaqësi t’ju takoj, faleminderit për ftesën dhe bisedën e ngrohtë që zhvilluam së bashku. Gjatë bisedës, vlerësuam marrëdhëniet e mira që kemi si vende dhe përpjekjet e përbashkëta për zhvillim. Shqipëria dhe RMV janë të vendosura për të thelluar bashkëpunimin. Ne folëm edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes qeverive tona. Ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë. Për ne, RMV konsiderohet partner i rëndësishëm ekonomik, me rritje të flukseve tregtare. Por gjithmonë ka mundësi për më shumë. Përmes zbatimit të projekteve të nënshkruara më parë, kemi arritur rezultate konkrete si njohja e diplomave, kalimi më lehtë në dogana dhe bashkëpunim më i madh ekonomik. Ne duhet të thellojmë më tepër bashkëpunimin politik dhe ekonomik. Korridori VIII është simbol i bashkëpunit të përbashkët. Ai është korridor i sigurisë europiane”, tha Begaj.

Presidenti shqiptar u ndal edhe te pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Shqiptarët këtu janë shtet-formues, janë konstruktivë dhe demokratikë. Shqiptarët kanë qenë dhe mbetën kyç në procesin e integrimit të vendit tuaj për në BE. Shqipëria e vlerëson si arritje historike marrëveshjen kornizë të Ohrit. Ne vlerësojmë vullnetin për të pasur në RMV një shoqëri multi-etnike. Ne besojmë se ruajtja e elementit të barazisë është tepër e rëndësishme për të ardhmen europiane. Të gjithë qytetarët duhet të trajtohen si të barabartë, pavarësisht se çfarë etnie kanë, çfarë besimi kanë apo çfarë bindje politike kanë. Ne duam që të hyjmë në BE brenda vitit 2030. Shqipëria mbështet integrimin europian të Maqedonisë së Veriut. Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është shumë i rëndësishëm për një sërë fushash”, deklaroi Begaj.

Në përfundim të fjalës së tij, presidenti Begaj i adresoi një ftesë zyrtare homologes maqedonase për të zhvilluar një vizitë në Tiranë.

Lini një Përgjigje