TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Shkurt 2026, 12:24

Rrokada në qeverinë Rama, Gaz Bardhi: Paralajmërimi që bëra 1 javë më parë për largimin e Vengut dhe Spiropalit

Shkruar nga Pamfleti
Rrokada në qeverinë Rama, Gaz Bardhi: Paralajmërimi që
Gazment Bardhi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për ndryshimet e fundit në qeveri, duke theksuar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund të lidhet me emra apo interesa personale.

“Një javë më parë paralajmëruam në Parlament largimin e Vengut dhe Spiropalit! Nuk bëjmë fall apo shohim filxhan, por ata që rrethojnë Ramën flasin vetë për ndryshime,” tha Bardhi, duke shtuar se faktet tregojnë qartë se kryeministri aktual nuk po vepron si i pavarur.

Sipas tij, emërimi i rrethit të ngushtë të Belinda Ballukut në postet e rëndësishme qeveritare tregon se Edi Rama është i penguar dhe po zbaton urdhërat e Ballukut, duke mos ushtruar detyrën e kryeministrit me liri.

"Një javë më parë paralajmëruam në Parlament ndryshimet në qeveri! Jo se hedhim fall apo shohim filxhan, por ata që rrethojnë Ramën flasin. Aty ku duhet….Herë pas here…

Por edhe pa këta, faktet tregojnë se Edi Rama po ushtron detyrën e zëdhënësit, të avokatit, por jo të kryeministrit! Emërimi i rrethit të ngushtë të Belinda Ballukut në postet e mbajtura prej saj provon se Edi Rama nuk është më një kryeministër i lirë! Ai thjesht zbaton urdhrat e të pandehurës Belinda Balluku, sepse është e qartë se Edi Rama është në krye të sistemit të korruptuar që është ngritur në Shqipëri.", thotë Bardhi në postimin e tij.

Një ditë më parë, Rama njoftoi ndryshime të rëndësishme në kabinetin e formuar vetëm në shtatorin e vitit të kaluar, pas zgjedhjeve.

Albana Koçiu u emërua zëvendëskryeministre, duke zëvendësuar Ballukun në postin e numrit dy të qeverisë. Ndërkohë, Toni Gogu është emëruar ministër i Drejtësisë, në një kohë kur qeveria ka paralajmëruar reforma të reja në politikën penale dhe marrëdhëniet me institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK.

Në poste të tjera të rëndësishme, Enea Karakaçi do të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Ferit Hoxha është emëruar ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu, Erjona Ismaili do të mbajë postin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Emrat e rinj pritet t’i dërgohen për dekretim në Presidencë dhe më pas për miratim në Kuvend. Ndërkohë, kryeministri Rama ka paralajmëruar se ndryshimet mund të shtrihen edhe në strukturat e partisë gjatë muajve në vijim. 

 

gazment bardhi largimin e vengut dhe spiropalit rama

Lini një Përgjigje