TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Tetor 2024, 11:02

SHBA ndalon Erdoganin t’i kthejë kështjellat e Skënderbeut në qendra islamike

Shkruar nga Pamfleti
SHBA ndalon Erdoganin t’i kthejë kështjellat e Skënderbeut
Kalaja e Prezës /

SHBA, si pa zhurmë ka marrë në dorë trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Shqipërisë…

Kur Rexhep Taip Erdogan vizitoi Shqipërinë, në maj të vitit 2015, sapo ishte zgjedhur President i Turqisë, zgjodhi që aktivitetin kryesor ta zhvillojë në kalanë e Prezës. Një vend simbolik të historisë sonë, ku TIKA, atëherë e drejtuar nga ministri i jashtëm aktual Hakan Fidan, kishte restauruar xhaminë, e cila është ndërtuar nga osmanët kur morën kështjellën, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Aty, Erdogan mblodhi fëmijët e medreseve që kontrollonte Turqia në vend, që kënduan e recituan vjersha në gjuhën turke. Një nga vjershat, e recituar nga një vajzë nga medresja e Shkodrës, ishin pikërisht vargjet që e futën Erdoganin në burg në fund të viteve ‘90 në Turqi, me akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare.

Sulltani nuk i mbajti lotët, që ja fshiu Emineja e tij, edhe ajo e prekur gjithashtu.

Vendi i zgjedhur si simbolikë ishte mjaft provokues, pasi Kalaja e Prezës është një nga monumentet e rezistencës shqiptare të udhëhequra nga Skënderbeu kundër Osmanët. Por sipas neootmanëve, ata janë tashmë trashëgimi i bashkëjetesës e jo e rezistencës.

Mirëpo, duket se ka qenë SHBA, e cila si pa zhurmë ka marrë në dorë trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Shqipërisë. Jo më kot Yuri Kim dilte shpesh në foto e mesazhe në simbolikën e Gjergj Kastriotit.

Dy ditë më parë, drejtoresha e marrëdhënieve me publikun e Ambasadës Amerikane, McKenzie Louw, pikërisht në Ditën Ndërkombëtae të Trashëgimisë Kulturore, bëri të ditur se SHBA ka marrë në dorë restaurimin e Kalasë së Prezës e qeveria amerikane ka alokuar 1.6 milionë dollar në 12 projekte të trashëgimisë kulturore.

Përveç Kalasë e Prezës, zyrtarja amerikane bëri të ditur se SHBA po restauron teqenë e Dollmës në Krujë dhe disa kisha e manastire në zonën e Luginës së Drinos.

Zonja Louw, bëri të ditur se së shpejti do të hapet aplikimi edhe për projekte të tjera. Edhe pse në dukje kulturore, i gjithë ky angazhim amerikan është i pastër politik, për të ndaluar një erdoganizim të vendit. E këtë e ka bërë edhe në mbrojtjen e Komunitetit Musliman Shqiptar nga influenca e neotomanëve të sulltanit të Ankarasë.

Kalaja e Prezës, e cila jo thjesht se është pranë Tiranës e aeroportit të Rinasit, pra që përbën një postacion strategjik, por që konsiderohet një nga kështjellat kufitare të prapavijës së Gjergj Kastriotit.

Turqia dhe influenca e saj religjoze ka bërë gjithë këto vite një luftë të madhe që të ndalojë restaurimin e kishave të vjetra në kështjella mesjetare, pasi sipas tyre kanë qenë xhami.

Beteja më e madhe është bërë për Kishën e Shën Stefanit në Kalanë ‘Rozafa’ të Shkodrës. E cila ka qenë xhami pas pushtimit nga osmanët, që prishën katedralen e vjetër, por në origjinë si trashëgimi kulturore ka qenë kishë. Duket se amerikanët do të ngjitën së shpejti edhe në Kalanë e Shkodrës./Pamfleti

 

erdogani kështjellat e skënderbeut qendra islamike

Lini një Përgjigje