
E dërguara e SHBA i ka dhënë ultimatum policisë, KPK-së, KPA-së, gjykatave, ILDKP-së dhe inspektorateve të tjera që të ndihmojnë SPAK në luftën ndaj korrupsionit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një mesazh të fortë ndaj institucioneve publike në vend.
E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, ishte sot në SPAK ku ka diskutuar me Altin Dumanin mbi “rrethimin” që po i bëhet prokurorisë. Vetë kreu i SPAK pak kohë më parë deklaroi se shumë organe nuk po bashkëpunojnë me organin e akuzës, duke mos bërë kallëzime.
Ky shqetësim është ngritur dhe nga e dërguara e SHBA, e cila u ka dhënë ultimatum policisë, KPK-së, KPA-së, gjykatave, ILDKP-së dhe inspektorateve të tjera që të ndihmojnë SPAK në luftën ndaj korrupsionit, duke e mbështetur me padi.
“E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, u takua sërish me Kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe vlerësoi arritjet e SPAK-ut në ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta. Zj. VanHorn dhe Z. Dumani diskutuan se si SPAK dhe BKH nuk mund ta kryejnë këtë punë vetëm dhe duhet të mbështeten tek institucione si policia, gjykatat, zyrat e prokurorisë, zyrat e vetting-ut, inspektoratet dhe këshillat që bëjnë pjesën e tyre me pavarësi, përkushtim dhe integritet. Kjo është thelbësore për të mbrojtur përparimin që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit, një element kyç i procesit të integrimit në BE”, njofton ambasada.

I pari që dha alarmin ishte vetë Dumani, gjatë raportimit që bëri në Kuvend pak muaj më parë.
Ai konstatoi se institucionet publike kanë ulur ndjeshëm numrin e kallëzimeve penale për veprat e korrupsionit. Tatimet, Doganat, ILDKP, Pastrimi i Parave dhe grupet e auditit në ministri nuk bëjnë më kallëzime.
“Kemi rënie të numrit të referimeve të institucioneve publike me 40%, përjashtuar Policinë e Shtetit, të gjithë institucionet e tjera kanë ulje të kallëzimit. Të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojnë më fort me ne. Ne jemi shumë të hapur që të bashkëpunojmë në referimin e veprave penale. Ka vend për thellim të bashkëpunimit me institucionet e tjera”, deklaronte Dumani në Maj.
Sipas raportit të SPAK, vitin që lamë pas ka pasur vetëm 12 padi nga institucionet publike, një shifër alarmuese kjo. “Duhet nënvizuar se, bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimeve të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimet nga këto institucione kanë një tendencë të fortë rënieje, e cila shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022”, shprehet SPAK.
Me mesazhin që dha sot diplomatja e SHBA, duket se amerikanët po japin mesazhe se ata janë në dijeni të puçit që po i bëhet SPAK dhe nuk kanë ndërmend të lejojë deligjitimimin e institucionit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje