TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 7 Prill 2024, 19:58

Alarmi i Dumanit dhe Çelës, si ILDKP po shpëton politikanët që ‘notojnë’ mbi miliona; vetëm 7 kallëzime për fshehje pasurie

Shkruar nga Pamfleti
Alarmi i Dumanit dhe Çelës, si ILDKP po shpëton
Dumani-Çela dhe drejtuesja e ILDKP

Sipas raportit të SPAK, vitin që lamë pas ka pasur vetëm 12 padi nga institucionet publike, një shifër alarmuese kjo...

Organet qeveritare, por edhe ato të pavarur duket se janë bërë bashkë për të mbrojtur të korruptuarit. Alarmi është dhënë nga dy krerët më të lartë të prokurorisë në vend, Altin Dumani i SPAK dhe Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm. Ata kanë konstatuar se institucionet publike kanë ulur ndjeshëm numrin e kallëzimeve penale për veprat e korrupsionit. Tatimet, Doganat, ILDKP, Pastrimi i Parave dhe grupet e auditit në ministri nuk bëjnë më kallëzime.

Sipas raportit të SPAK, vitin që lamë pas ka pasur vetëm 12 padi nga institucionet publike, një shifër alarmuese kjo. “Duhet nënvizuar se, bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimeve të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit, ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimet nga këto institucione kanë një tendencë të fortë rënie, e cila shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022”, shprehet SPAK.

Ndërsa në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet: “Kallëzime nga nëpunësit publikë: në vitin 2023 rezulton të kenë ardhur në prokurori 650 kallëzime, që përbën ulje prej 36,95 % krahasuar me vitin 2022, në vitin 2022 rezulton të kenë ardhur në prokurori 1031 kallëzime, që përbën rritje prej 27,28 % krahasuar me vitin 2021, në vitin 2021 rezulton të kenë ardhur në prokurori 810 kallëzime, që përbën ulje prej 3,57 % krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që në vitin 2020 rezulton të kenë ardhur në prokurori 840 kallëzime, që përbën ulje prej 41,59 % krahasuar me vitin 2019”.

Pra kemi një fenomen shqetësues, të gjithë janë bërë bashkë kundër drejtësisë. Teksa për Tatimet, Doganat, pastrimin e Parave dhe drejtori të tjera që janë në varësi të qeverisë edhe mund të pranohet se janë duke zbatuar urdhrat e ministrave apo kryeministrit, si ka mundësi që edhe institucionet e pavarura nuk raportojnë?

Si shembull mund të marrin Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ky organ në SPAK nuk ka bërë asnjë kallëzim për ministra, deputetë, kryeministra, apo zyrtarë të tjerë. Ndërsa në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka bërë vetëm 7 kallëzime vitin që lamë pas, për fshehje pasurie. Një shifër kjo skandaloze.

Pesha specifike që zë kjo vepër (Fshehje pasurie) në grupin e veprave penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë në vitin 2023 është 1,38 % ndërsa në vitin 2022 ka qenë 1,16 %. Nga të dhënat statistikore vërehet se për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” është regjistruar i njëjti numër procedimesh në të dy vitet e fundit, 7 procedime penale”, thekson raporti i prokurorisë.

Alarmi i Dumanit dhe Çelës, si ILDKP po shpëton
Statistikat për fshehje pasurie, vija jeshile- Neni 257/a

Që kur në krye të ILDKP u emërua Evgjeni Bashari, kallëzimet ranë ndjeshëm. Në vitin 2021 kur dhe ajo mori detyrën ka pasur vetëm një kallëzim, ndërsa në vitin 2022, 7 kallëzime. Pra në 3 vite 15 kallëzime për fshehje pasurie, edhe ato në nivele të ulëta.

Ndërkohë paraardhësi i saj dorëzonte nga 60-70 padi në vit në prokurori. Si ka mundësi kjo amnisti e tillë? “Pamfleti” ka publikuar me dhjetra pasuri zyrtarësh dhe thuajse askush nuk i justifikon. Si ka mundësi Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe shumë ministra kanë pasuri miliona euro? Si ka mudësi që ka deputetë me makina luksi e disa biznese? Si ka mundësi që ka ministra me vila në jug dhe Gjirin e Lalëzit? Pse ILDKP nuk i verifikon këto raste? Skandali tjetër është se dhe në ato pak kallëzime fshihen emrat e të akuzuarve, teksa pasuritë vijohen të mbahen peng, duke mos i publikuar online. /Pamfleti

pasuri ildkp cela dumani

Lini një Përgjigje