
Ky akt i fortë politik, ishte një demonstrim force i Edi Ramës dhe Sali Berishës ndaj SHBA-së dhe gjermanëve që financojnë dhe mbështesin SPAK-un, se tashmë janë 111 deputetë që nuk do të lejojnë “shaka” të rënda nëse shkohet lart fare...
Nëse vëzhgoni me vëmendje çfarë ndodhi dje në Kuvend me ligjin e amnistisë, kupton qartësisht se nuk ishte aspak qëllimi që të lehtësohen në mënyrë humanitare disa të burgosur apo paraburgosur.
Amnistia është një e drejtë Kushtetuese që ka Parlamenti, por nuk është detyrim, mund edhe të mos bëhej, apo të shtyhej për një kohë tjetër.
Duke e parë në prapaskenë, ajo që ka ndodhur është një aksion i gjerë, një Pazar i nivelit të lartë, që ka pasur përpara dhe tani diskutime e negociata pa mbarim.
Ajo çfarë ka ndodhur është kjo: Në Kuvend është krijuar një trupë e gatshme dhe e frikshme me 111 vota, e cila sapo kaloi provën e parë të kompaktësisë së saj.
Kjo trupë 111-votëshe, ka votuar dje pa lexuar apo debatuar asgjë nga ato që kanë miratuar, por thjesht çfarë i kanë sjellë shefat e tyre përkatës.
PS ka përgatitur draftin paraprak, nëpërmjet ministrisë së drejtësisë, draft i cili nuk parashikonte lehtësimin e dënimeve të veprave penale që përfshijnë korrupsionin. Kurse Gazment Bardhi, ka dorëzuar amendamentin, ku përfshihen në mënyrë të qartë lehtësimi i dënimit të të gjithë atyre që janë dënuar për korrupsion pasiv apo aktiv. Amnistia përjashton të gjithë ato zyrtarë të dënuar që janë objekt i GKKO-së, pra nga zëvendësministri e lart.
Ligji pritet të analizohet në ministrinë e Drejtësisë, e cila më pas do të hartojë listën e saktë se kush lirohet, e kujt i ulet dënimi.
Gjithsesi, ky akt i fortë politik, ishte një demonstrim force i Edi Ramës dhe Sali Berishës ndaj SHBA-së dhe gjermanëve që financojnë dhe mbështesin SPAK-un, se tashmë janë 111 deputetë që nuk do të lejojnë “shaka” të rënda nëse shkohet lart fare.
Prej kohësh po përgatitet opinioni nëpër ekrane të ndryshme, nga njerëz që ka vite që sulmojnë SPAK dhe amerikanët, se Parlamenti duhet t’i japë një mësim prokurorëve.
Ylli Manjani e tha troç mbrëmë te Erla Mëhilli, se Parlamenti duhet tu japë një përgjigje të fortë e tu thotë ndal atyre që i quajti: “prokurorë pisa dhe ambasadorë pisa”.
Ky teatralitet i njeriut që është armiku publik i reformës në Drejtësi, nuk është aspak rastësi, apo një gjest i izoluar.
Por sinjali dhe krijimi i opinionit që diçka po ndodh, e nuk do të jetë e gjatë “Republika e Prokurorëve”. Siç edhe Edi Rama e tha para ca kohësh se nuk ka Republikë Prokurorësh, por Republikë të Shqipërisë.
Kjo 111-tëshe që u inaugurua dje, ka kryer një puç të vërtetë kushtetues në Parlamentin e Shqipërisë. Është krijuar një trupë “nënkomisionesh” treshe nga PS e Foltorja, të cilat do të hartojnë e bëjnë Pazar për çdo ligj apo akt që do të miratojnë e që kërkon më shumë se 84 vota. Që nga ligjet me shumicë të cilësuar, Kodet; si ai penal, i procedurës penale etj, Kodi Elektoral, e deri tek ndryshimi i Kushtetutës, janë objekt i mundshëm i punës së këtyre trupave të paligjshme. Të cilat përjashtojnë apo mënjanojnë Komisionin e Ligjeve, apo komisione të tjera të përhershme, që duhet të bëjnë kolaudimet e drafteve ligjore përpara sesa të shkojnë në seancë.
Nuk është aspak çudi sesi po faktorizohet Gaz Bardhi nga Edi Rama, duke e begenisur qoftë edhe vetë si person, qoftë edhe të gjithë ministrat e tij në Kuvend. Një manovër që nuk kërkon shumë mend për ta kuptuar se çfarë do. Edi Rama nuk po kërkon thjesht të mënjanojë Lulzim Bashën dhe PD-në zyrtare, loja shkon më tej.
Si Sali Berisha, ashtu edhe Edi Rama, sot kanë një problem të madh e ky është SPAK. Për ta zgjidhur së bashku, për t’i thënë “ndal”, ashtu siç thotë Manjani, ata kanë Parlamentin. Dje i bashkuan votat në një ligj që nuk se i zgjidhi punë shumë. Por është hapi i parë për të konstitouar këtë trupë 111-votëshe, që ngjan si pakti Nano- Berisha, pas zgjedhjes së Moisiut President. Ku secili mori atë që kërkonte. I pari qeverisjen deri në 2005-n, si dhe goditjen e Fatos Klosit dhe Edi Ramës; kurse i dyti, hyrjen në lojën e lartë të pushtetit për ta rimarrë në tavolinë.
Kësaj here, pazari është më i vështirë, pasi Sali Berisha me atë damkë në ballë, kur i thotë Rama, nuk mund t’i qaset pushtetit. Por Berisha, më shumë se pushtetin ka prioritet dënimin, sidomos të djalit dhe vajzës së tij, kurse deputetët e tij, duke nisur nga Bardhi, thjesht duan të rizgjidhen sërish.
Por Rama? Të ndalojë me çështë e mundur SPAK që të shkojë më lart. Siç mësohet, palët që takohen me ndërmjetës, sipas formulës së 2008-s: Bylykbashi- Gjiknuri çojnë thjesht porositë e shefave. Të cilët ende nuk i kanë hyrë lojës së madhe të pazarit të vërtetë. Protesta para bashkisë së Tiranës e njerëzve të Berishës, ishte sipas të gjitha gjasave një manovër për t'i treguar Ramës se ata i ka gati për të goditur ata që nuk i rrinë drejtë. E në këtë protestë Argita Berisha, nxori edhe kërkesën e parë të pazarit, që duket do të jetë edhe akti i parë i 111-tëshes. “Lironi liderin e opozitës”, pra babain e saj./Pamfleti
Lini një Përgjigje