Qytetarët në vendet ballkanike e dinë se blloku nuk ka një oreks të vërtetë për zgjerim, thotë Bender. Dhe ngurrimi i saj po “minon forcat pro-demokracisë dhe pro-BE-së, dhe po forcon nacionalistët si Aleksandar Vuçiç”...
Gjatë samitit të fundit në Bruksel midis udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor më 18 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u pyet në holl nga gazetarët se çfarë priste nga takimi. “Asgjë!”- iu përgjigj prerë ai.
Madje shtoi me cinizëm se i vinte keq që prania e tij në Bruksel, ia pamundësonte pjesëmarrjen të nesërmen në një festë të Kishës Ortodokse Serbe. Vuçiç ka qenë jo pak i tensionuar, dhe në një pozicion delikat kohët e fundit.
Teksa po përballet me një seri protestash popullore të mëdha javët e fundit, ai mund të mendojë se serbët janë mosmirënjohës ndaj tij. Sepse PBB-ja frymë e Serbisë, është thuajse 90 për qind më e lartë se kur ai u ngjit në pushtet në vitin 2014.
Gjatë vitit të kaluar, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Kinës dhe Komisionit Evropian e vizituan atë në Beograd dhe e lavdëruan publikisht. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, mijëra rusë janë shpërngulur në Beograd, duke sjellë para, talent dhe biznese.
Nga ana tjetër, Vuçiç i ka kënaqur nacionalistët anti-perëndimorë duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa e ka zbutur Perëndimin duke i lejuar kompanitë serbe që t’i shesin armë Ukrainës. Në këmbim, udhëheqësit perëndimorë i kanë dhënë Vuçiçit leje për manipulimin e zgjedhjeve, arrestimin e aktivistëve opozitarë dhe për përgjimin e telefonave të gazetarëve.
Ata duan që ai të frenojë Milorad Dodik, liderin separatist serb të Bosnjës Hercegovinës, por edhe serbët e Kosovës Veriore. Po ashtu, ata synojnë që prodhuesit e tyre të baterive të makinave elektrike, të kenë qasje tek rezervat e mëdha të litiumit që zotëron Serbia.
Në vitin 2022, qeveria serbe pezulloi hapjen e një miniere të tillë, pas protestave të mëdha nga banorët e zonës. Por në korrik të këtij viti, ajo lejoi që plani të realizohej, vetëm pak kohë përpara nënshkrimit të një partneriteti strategjik me BE-në. Ky akt solli rifillimin e protestave.
Shumë serbë nuk i besojnë qeverisë në lidhje me çështjet e sigurisë. Një çështje tjetër e sigurisë ka shkaktuar akoma më shumë protesta. Në nëntor të vitit të kaluar, u shemb çatia e një stacioni hekurudhor në qytetin e Novi Sadit, e cila ishte rindërtuar së fundmi nga një kompani kineze, duke i marrë jetën 15 njerëzve.
Problemi është më i thellë se sa çdo lloj katastrofe, thotë Srdjan Cvijic i institutit kërkimor Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë: ”Ne kemi në krye një elitë qeverisëse, e cila e ka kapur plotësisht shtetin!”.
Vuçiç i kritikon vazhdimisht liderët e BE-së, dhe pse vendet e bllokut janë investitorët dhe donatorët më të mëdhenj të Serbisë. Ai i quan ata “hipokritë” për mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës, por jo të Serbisë (pra duke njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008).
Madje në qershor të vitit 2024, ai sponsorizoi mbajtjen e një konference të serbëve etnikë nga i gjithë rajoni. Alekandar Vuçiç pretendon se dëshiron të ruajë paqen në rajon, por duke ndjekur në të njëjtën kohë një axhendë nacionaliste. Ashtu si shumë populistë të krahut të djathtë, ai shpreson se Donald Trump do ta anojë politikën amerikane në favor të vendit të tij.
Ky i fundit mund ta braktisë vërtet përpjekjet e zakonshme të Amerikës për të frenuar ekstremistët ballkanikë, qoftë edhe për shkak të mungesës së interesit për këtë rajon, duke i lejuar nacionalistët serbë të bëjnë sërish kërdinë në Bosnje dhe Kosovë.
Të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor, po përpiqen të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Por ndërsa po përmbushin detyrat e tyre të harmonizimit të legjislacionit dhe reformave me ato të bllokut, shumë prej tyre nuk u besojnë premtimeve të BE-së se do të ecin me shpejtësi përpara drejt anëtarësimit.
“Ne pretendojmë se procesi është në thelb meritokratik”- thotë Kristof Bender i Iniciativës Evropiane të Stabilitetit, një institut me qendër në Berlin, por “është gjeopolitika, ajo ka më shumë rëndësi sesa meritat”. Ukraina dhe Moldavia, fituan papritmas statusin e vendit kandidatit pasi Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2022.
Ndërkohë rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut po pengohet që nga viti 2009, fillimisht nga Greqia, më pas nga Franca, dhe tani nga Bullgaria. Qytetarët në vendet ballkanike e dinë se blloku nuk ka një oreks të vërtetë për zgjerim, thotë Bender. Dhe ngurrimi i saj po “minon forcat pro-demokracisë dhe pro-BE-së, dhe po forcon nacionalistët si Aleksandar Vuçiç”./Pamfleti nga “The Economist”
Lini një Përgjigje