
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke komentuar lajmin se Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka vënë në sekustro pasuritë e Pëllumb Gjokës, deklaroi se kjo vërteton se kryeministri Edi Rama ka abuzuar rëndë me pushtetin.
Me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ai deklaroi se Pëllumb Gjoka u shpall investitor strategjik, pasi sipas tij kishte njohje miqësore me Ramën. Sipas tij një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë persona që kanë përfituar pronat në Bregdet përmes falsifikimit, ose që janë të akuzuar si trafikantë droge.
Më tej ai shtoi se kjo tregon arsyen se përse Edi Rama dhe maxhoranca e tij refuzuan ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike.
Sipas tij me këto vendime të kundra ligjshme të kryeministrit, nuk duhet të jetë e largët dita kur ai do të duhet të përballet me drejtësinë
“Sekuestrimi i pronave të disa investitorëve strategjikë e vendos Edi Ramën në pozitën e një kryeministri që ka abuzuar rëndë me pushtetin. Përveç miqësisë me Kryeministrin, qartësisht duket se kriteri mbi të cilin Edi Rama i ka shpallur investitorët strategjikë ka qenë grabitja e pronave publike e private prej tyre!
Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë persona që kanë përfituar pronat në Bregdet përmes fallsifikimit. Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë trafikantë droge dhe porositës vrasjesh me pagesë.
Tani bëhet krejt e qartë arsyeja përse Edi Rama dhe maxhoranca e tij refuzuan ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Shumë prej tyre nuk kanë të bëjnë me zhvillimin, por me pastrimin e parave nga punët e pista. Me këto para kanë blerë edhe fallsifikimin e pronave, ku kanë ngritur dhe po ngrenë perandorinë e krimit dhe të korrupsionit.
Mbi këto vendime, Edi Rama ka vendosur firmën e tij dhe nuk duhet të jetë e largët dita, kur ai do të duhet të përballet me drejtësinë”, shkruan Bardhi.
Lini një Përgjigje