Dy janë opsionet në tryezë: E para është që Berisha do të rikthejë “foltoret”, e njëjta skemë si siç ndodhi kur u shpall “non grata” nga SHBA. Dhe e dyta protestat...
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të luftojë fort me drejtësinë e re. Pas 3 vitesh hetimesh, SPAK ka dalë me një akuzë zyrtare ndaj Berishës, duke e bërë përgjegjës për skandalin me kompleksin “Partizani”. Berisha akuzohet se vuri në shërbim të dhëndrit të gjithë shtetin dhe ndaj tij ka një masë sigurie, “detyrim paraqitje”.
Por Berisha ka vendosur të rezistojë dhe këtë herë do të përdorë PD si mburojë për të frenuar atë që mund të vijë. Dosja “Partizani” thuhet se është maja e ajsbergut, pasi në valle mund të futet edhe i biri. Për këtë arsye Berisha duket se ka vendosur të luaj fort.
Që ditën që u publikuan akuzat, ai tha se po sulmohet politikisht, duke akuzuar Edi Ramën se kërkon të asgjësojë kreun e opozitës. Por duket se nuk do të ndalet me kaq. Berisha sot në orën 18.00 do të mbledhë Këshillin Kombëtar, ku do të ngrejë në këmbë mbështetësit e tij për të ushtruar presion ndaj SPAK dhe ndërkombëtarëve.
Sipas burimeve, dy janë opsionet në tryezë. E para është që Berisha do të rikthejë “foltoret”, e njëjta skemë si siç ndodhi kur u shpall “non grata” nga SHBA. Kur amerikanët e sanksionuan dhe Basha e përjashtoi nga grupi, Berisha nisi foltoret, duke mobilizuar të vetët dhe duke u dërguar mesazh amerikanëve se ai ka pas vetes demokratët. Po ashtu Berisha nisi protestat. Te njëjtën gjë do të bëjë edhe tani.
Mësohet se sot pritet të vendoset dhe për nisjen e protestave. Vetë Berisha i pyetur në media e ka pranuar se skenari i protestave mbetet në tryezë. Sipas informacioneve, reagimet pritet të nisin para Parlamentit kur të ketë seanca plenare, teksa mbetet të shihet nëse do të ketë një datë për protestë kombëtare. Me pak fjalë, Berisha po mundohet të tregojë forcë dhe të dërgojë mesazhe te ata që i kanë kopsitur dosjen, por mbetet të shihet se sa do ja dalë.
Vihet re se aleti i tij besnik, Ilir Meta është distancuar prej tij. Sinjalet janë se dhe Meta do ketë telashe me drejtësinë dhe tani ose halli do i bëjë bashkë duke tentuar destabilizim, ose Meta po e lë në baltë Saliun dhe po sheh hallet e veta. Mbetet të shihet në orën 18.00 se çfarë do të sjellë Këshilli kombëtar i Berishës/ Pamfleti
Lini një Përgjigje