Deputetët e Berishës dhe Bardhit pritet të përplasen me ushtarët e Gardës, pasi kanë paralajmëruar se do të tentojë të futen në sallë në seancën e së hënës...
Seanca parlamentare e së hënës pritet të risjellë tensionet dhe përplasjet në Kuvend. Të enjten e javës që lamë pas, opozita bllokoi punimet, por duket se seanca e 30 tetorit parashikohet të jetë më e zjarrtë.
Të hënën Kuvendi do të mblidhet për të diskutuar mbi çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhësit, por ndryshe nga e enjtja e javës që lamë pas, këtë herë ka dy zhvillime.
Së pari Berisha është vënën nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe ai fajëson Edi Ramën. Së dyti, 23 deputetë krah tij dhe Gazmet Bardhit janë përjashtuar nga Kuvendi. Deputetët bllokuan ndenjëset e ministrave dhe ata u përjashtuan me 10 ditë. Mirëpo ata nuk kanë ndërmend të dorëzohen.
Sipas burimeve, ditën e hënë, ata deputetë që kanë mbetur do të tentojnë të bllokojnë seancën nga brenda, ndërsa 23 të tjerët e përjashtuar, me në krye Sali Berishën do të tentojnë të futen me forcë në sallë. Sot Kuvendi i ka njoftuar deputetët për rendin e ditës dhe gjithashtu ja u ka bërë të ditur se 23 prej tyre janë përjashtuar. Mirëpo disa emra kanë paralajmëruar rezistencë.
“Mazhorancë që di të vjedhë, por nuk di të numërojë. Nuk ka më qesharakë se këta. I tremben opozitës prandaj dhe na perjashtojnë dhe kur nuk u dalin llogaritë, nuk zbatojnë as vendimet e tyre. Përjashtimi 10 ditë i deputetëve ka hyrë në fuqi më 20.10.2023 dhe me logjike normale përfundon në datën 29.10.2023… 20, 21, 22, 23, 24, 25,26, 27, 28, 29= 10 ditë. Ky është turpi i dyte pas atij të përjashtimit të 23 deputetëve. Ne do të jemi në seancë! 7×7 = 42 Paska qenë sëmundje ngjitëse”, shkruan Saimir Korreshi.
Në të njëjtën linjë me të është edhe Luan Baçi. “Përjashtuan 8 deputetë dhe vendimin e publikuan, përjashtim për 10 dite, nga dt 9 Tetor deri në 18 Tetor, pra 10 ditë, në dt 19 Tetor ne shkuam në seancë! Përjashtuan 23 deputetë, publikuan vendimin për 10 ditë dhe na thonë që 10 ditë janë, nga dt 20 Tetor deri në 30 Tetor, që me pak dije në matematik po t’i numërosh janë 11 dite, pra në 30 Tetor ne duhet të jemi në seancë dhe nuk na ndalojnë dot”, shkruan ai.
Sipas burimeve, grupi i Berishës dhe i Bardhit pikërisht do kapen pas kësaj pjese dhe pritet që të ketë përplasje me përfaqësuesit e Gardës, të cilët kanë marrë urdhër që 23 deputetë të mos futen në sallë. Ndërkohë Berisha sot do të mbledhë Këshillin Kombëtar ku pritet të merren vendime dhe për protesta. /Pamfleti
Lini një Përgjigje