TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Maj 2026, 15:17

Seanca kundër Ols Dados, Veliaj: KLP dhe gjykata palë me prokurorin, kanë frikë nga transparenca

Shkruar nga Pamfleti
Seanca kundër Ols Dados, Veliaj: KLP dhe gjykata palë me prokurorin,
Veliaj në gjykatë

Në deklaratë thuhet se kundër pranisë së mediave në sallë u pozicionuan prokurori Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Sipas Veliajt, argumenti i Dados se transmetimi mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e një magjistrati tregon pikërisht nevojën për kontroll publik...

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet në seancën e djeshme administrative kundër prokurorit Ols Dado. Veliaj kërkon larigmin e tij nga sistemi, me argumentin se është emëruar në shkelje të ligjit, pasi nuk ka Shkollën e Magjistraturës.

Përmes një deklarate për mediat, Veliaj kritikoi vendimin e gjykatës për të ndaluar transmetimin live të seancës dhe për të nxjerrë kamerat jashtë sallës, ndonëse transmetimi kishte nisur. Sipas tij, vendimi u mbështet në një udhëzim administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që ai e konsideron në kundërshtim me standardet kushtetuese për transparencën e proceseve gjyqësore.

Në deklaratë thuhet se kundër pranisë së mediave në sallë u pozicionuan prokurori Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Sipas Veliajt, argumenti i Dados se transmetimi mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e një magjistrati tregon pikërisht nevojën për kontroll publik mbi ligjshmërinë e mandatit të një prokurori.

“Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku”, thuhet në reagim.

Veliaj ngriti gjithashtu pretendime për atë që e cilësoi si “harmoni shqetësuese institucionale” mes qëndrimeve të KLP-së dhe prokurorit Dado. Sipas tij, nga provat e paraqitura në seancë rezulton se KLP nuk ka marrë një vendim kolegjial për çështjet e ngritura prej tij.

Në deklaratë pretendohet se nënkryetari i KLP-së ka penguar dërgimin e çështjes për shqyrtim në organin kolegjial, ndërsa publikisht është krijuar përshtypja sikur ekziston një vendimmarrje e institucionit.

Po ashtu, Veliaj pretendon se përfaqësuesja e KLP-së në gjykatë ka tejkaluar objektin e autorizimit institucional duke mbajtur qëndrime për çështje mbi të cilat institucioni nuk ishte shprehur më parë.

Në përfundim të reagimit, Veliaj thekson se do të vijojë të kërkojë “verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të këtij pushteti”, duke e lidhur çështjen me besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

Postimi i plotë

Të nderuar përfaqësues të medias,

Gjatë seancës së djeshme në procesin administrativ me paditës Erion Veliaj dhe të paditur Ols Dado etj., u evidentuan disa zhvillime shqetësuese për standardet e shtetit të së drejtës dhe transparencës së drejtësisë në Shqipëri.

Edhe pse mediat kishin instaluar kamerat dhe transmetimi kishte nisur, gjykata vendosi ndalimin e transmetimit live të seancës dhe nxjerrjen e kamerave jashtë sallës, duke u mbështetur në një udhëzim administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me standardin kushtetues për transparencën e gjykimit.

Kundër pranisë së kamerave u pozicionuan dy subjekte të shtetit shqiptar: I padituri Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Argumenti i paraqitur nga i padituri Dado ishte se transmetimi live mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e magjistratit, pasi akti i emërimit është një akt individual. Ky argument shpjegon pikërisht pse transparenca është e domosdoshme. Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin. Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku.

Gjatë gjykimit u evidentua gjithashtu një harmoni shqetësuese institucionale ndërmjet qëndrimeve të dy të paditurve Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atyre të Ols Dados. Nga vetë provat e paraqitura nga përfaqësuesja e KLP rezultoi se ky institucion nuk ka marrë asnjëherë një vendim kolegjial mbi çështjet e ngritura nga Erion Veliaj. Përkundrazi, sipas sa rezultoi në seancë, nënkryetari i institucionit ka penguar dërgimin e çështjes për shqyrtim në organin kolegjial dhe ndërkohë, janë krijuar përshtypje publike sikur ekziston një vendimmarrje e KLP-së, kur në fakt një e tillë nuk rezulton të jetë marrë.

Po ashtu, iu bë me dije gjykatës se përfaqësuesja e KLP kishte tejkaluar objektin e autorizimit institucional, duke mbajtur qëndrime për çështje mbi të cilat institucioni që ajo përfaqëson nuk është shprehur kurrë. Të gjitha këto fakte iu parashtruan gjykatës, përfshirë elementë që ngrenë dyshime serioze për paligjshmëri të rënda institucionale. Fatkeqësisht, nuk pati asnjë reagim.

Megjithatë, një gjë u bë e qartë për çdo person të pranishëm në sallë: kush kërkonte transparencë dhe shqyrtim me themel të së vërtetës, dhe kush kërkonte errësirë dhe mbyllje sa më të shpejtë të çështjes.

Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: askush nuk bëhet prokuror i Republikës së Shqipërisë përmes heshtjes institucionale, kalimit të kohës apo shmangies së kontrollit publik dhe gjyqësor. Nëse kriteret ligjore nuk janë përmbushur, pavlefshmëria absolute nuk shërohet me kalimin e viteve.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë deri në fund verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të këtij pushteti, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një proces konkret, por për vetë besueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

 

veliaj gjykate

4 Komente

  1. J
    Jeta

    Vodhi sa vodhi, aq shume vodhi..dhe tani moralizon, madje akuzon?! Kjo eshte me shume se krize truri. Kjo eshte kriz identiteti, kufiri tranzitor mes kafshes e njeriut. Ky e kalon kete kufi me lehtësi te papare. Ja, deri ne cfare pike ka ardhur njeri shqiptar.

    1. F
      Feti Dema

      O Erion Elita! Shkrove parathënien e Obamës vetë, apo ta diktuan? Je havardist ? Do të shtysh kohën me shpresë se sishokët e tu të korruptuar, do të bëjnë derman. Mesa dëgjova në akademinë politike të kafeterive të Tiranës, avokati jot sekretar i përgjithshëm në disa ministri ka dosje penale në hetim. ndaj pasi ta shtysh edhe ca kohë me proçedura, kërko një avokt tjetër. Avokati i ri të kërkojë të njihet dhe ta studjoj dosjen. Kalon kohë. Nuk fiton Ti. Por fiton partia. Trashëgoni Bashkinë e Tiranës.

      1. B
        BP

        Duke mos e njohur mirë aktivitetin politik të Veliajt, nuk marr mubdim të mbaj qëndrim pro apo kundër. Thjesh habitem me mënyrën si po proçedohet kundër tij. Për ata që bëjnë analogji midis politkës dhe një loje shahu, duket se ai është sakrifikuar nga shefi i tij për mpsbindje, me kërkesën ose miratimin e oligarkëve të majtë e opozitarë. Fillesa e akuzës është e sajuar, dhe duke qënë se është arrestuar si i akuzuar nga anonimë, ka shumë gjasa që prokuri ose vetë shefi i Erionit mund të jetë akuzuesi anonim. Proçesi është i shtrembëruar dhe çdo gjykatë apeli europiane do ta rrëzonte këtë proçes dhe do ta gjente shtetin dhe drejtësinë shqiptare fajtorë. Veliaj do të ekzonerohet dhe do të marrë ca milionë shpërblim. Ndërkohë dorasët e vërtetë i kanë kryer punët e tyre. Kanë ndërtuar pallatet, kanë konsoliduar kontrollin mbi shtet, dhe nuk e kanë problem që shteti do të penalizohet. Si Veliaj dhe Dado ka pasur e so të ketë Shqipëria, por qytetarët duhet të kenë frikë jo nga këto vegla aq sa nga ata që i përdorin, dorasët që kontrollohnë realisht shtetin.

        1. D
          Dhuri

          I vetmi qe duhet te kete frike nga transparenca eshte veliaj. Te tjerat jane lojera. Veliaj eshte hija e zeze e korrupsionit dhe vjedhjeve. Po u bene transparente cfare ka bere ne bashki edhe avokati i tij nuk do dale me ne publik. Lali eshte zhytur ne cdo afere, tender fiktiv, leje ndertimi te shitura, fonde te tjetersuara. Miliona euro te vjedhura

          Lini një Përgjigje