TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Prill 2025, 18:01

Samiti i Komunitetit Politik Europian, Macron viziton Tiranën më 16 maj

Shkruar nga Pamfleti

Samiti i Komunitetit Politik Europian, Macron viziton Tiranën më 16

Presidenti francez Emanuel Macron do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri, duke iu bashkuar kështu Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet më 16 maj.

Kjo u bë e ditur nga Igli Hasani, kreu i diplomacisë shqiptare, gjatë takimit me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dy-ditore në Shqipëri.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Sipas Ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Hasani vlerësoi veçanërisht angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme.

Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Hasani.

Hasani e konsideroi si një samit historik atë që do të organizohet në Tiranë më 16 Maj 2025.

“Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”, tha Hasani.

Presidenti Macron vizitoi Shqipërinë për herë të parë në një vizitë zyrtare më 16 tetor 2023.

 

Lini një Përgjigje