TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Mars 2025, 13:41

Saliu “ringjall” Shaban Tapinë

Shkruar nga Pamfleti

Saliu “ringjall” Shaban Tapinë

Gjatë viteve 2006-2013, qeveria “Berisha” legalizoi vetëm banesat, vilat, pallatet, hotelet, resortet, restorantet, kafenetë dhe magazinat që i kishin ndërtuar ministrat, oligarkët, deputetët, drejtorët, kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave, kriminelët dhe shefat e policisë e drejtësisë...

Kryetari i PD, Sali Berisha, në programin elektoral “Shqipëria Madhështore”, ka ri-kthyer si premtim, përfundimin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme, duke u betuar me “fjalë burri”, se këtë herë do ta mbyllë procesin brenda dy viteve të mandatit të parë qeverisës.

Këtë premtim, Sali Berisha e nisi nga takimi në Njësinë nr. 8 të Tiranës, ku firmosi publikisht një projekt- vendim hije, të cilin po e përsërit si akt në çdo takim që po bën me militanët, duke thënë se do ta miratojë ditën e parë që do ri-ulet në karriken e kryeministrit.

Pyetjeve nga qytetarët e mashtruar gjatë pushtetit të PD, se përse nuk i përfundoi legalizmet deri në vitin 2013, ish-kryeministri Sali Berisha, ju përgjigj me justifikimin, se e kishin sabotuar bashkitë dhe kumunat e drejtuara ng PS dhe disa konflikte e procese gjyqësore për pronat.

Në fakt, Sali Berisha e nisi procesin e legalizimit në muajin prill 2006 me Ligjin Nr. 9482, por Agjencia e Legalizimeve e drejtuar nga Shaban Memia, legalizoi vetëm 18% të banesave pa leje, ndërsa afro 300 mijë ndërtues banesash i vërdallisi me mashtrime.

Në vitet 2006-2013, qeveria “Berisha” legalizoi vetëm banesat, vilat, pallatet, hotelet, resortet, restorantet, kafenetë dhe magazinat që i kishin ndërtuar ministrat, oligarkët, deputetët, drejtorët, kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave, kriminelët dhe shefat e policisë e drejtësisë.

Nëpërmjet Shaban Memisë dhe drejtorëve të legalizmit në rrethe e prefektura, u legalizuan me letra false edhe kasolle, baraka, kioska në oborre shkollash e spitalesh dhe toka e trotuare të rrethuar me gardhe, duke i regjistruar sikur gjoja ishin pallate, vila e magazina, me qëllim që zaptuesit të përfitonin pronësinë e tokave.

Në takimet elektorale, Sali Berisha po mundohet të justifikohet me mashtrime, se përse nuk e mbylli procesin e legalizimeve brenda 7 viteve deri më 2013-ën, por e vërteta është, se ai e futi procesin në skemë vonesash, qëllimisht për ta përdorur si joshje në fushatat elektorale.

Në funksion të këtij qëllimi, Sali Berisha e ndryshoi 7 herë të tjera ligjin e parë Nr. 9482, datë 3 prill 2006 të legalizimeve, dhe nxori 13 vendime qeverie, 6 akte normative, 21 udhëzime e 10 formularë të ndryshëm aplikimesh.

Më këto ligje, vendime e formularë të sajuar qëllimisht, zvarriteshin legalizimet dhe qytetarët vërdalliseshin nëpër zyra e gjykata, ndërsa për familjarë, qeveritarë e persona të klanit të tij, zbatohej ligji fillestar i muajit prill 2006.

Tani që po kërkon të rikthehet në pushtet, Sali Berisha ka nisur të premtojë përsëri legalizimet, duke “ringjallur” Shaban Tapinë, i cili të kujton xhambazllëqet, korrupsionin, vërdallisjet dhe mashtrimet e qytetarëve që ndërtuan pa leje.

Pas vitit 2013, të njëjtat marifete, mashtrime e vërdallisje me legalizimet, bëri dhe kryeministri Edi Rama, duke përdorur Artan Lamen, kopje e Shaban Memisë së Saliut./Pamfleti

shaban tapia sali berisha

Lini një Përgjigje