Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar disa akuza të forta në drejtim të biznesmenit Gjergj Luca.
Ditën e sotme në Asamblenë e Përgjithshme të të Zgjedhurve Vendorë Demokratë, Berisha deklaroi se biznesmeni i arrestuar në kuadër të “Metamorfoza” Pëllumb Gjoka, është kapter i Lucës.
“Çfarë është Pëllumb Gjoka para Edi Ramës? Më thoni mua. Është nënfish i Edi Ramës. Po prisni sa të dalin Gjokat e tjera në Durrës, në Elbasan, në rrethe të tjera, të gjitha fijet te Edi Rama.
Pëllumb Gjoka ka qenë kapter i Lucës, një vartës i tij. Gjeneral ka qenë Luca, i Edi Ramës. Ne jemi opozitë, nuk kemi fuqi ligjzbatuese dhe ne duhet të merremi me njeriun dhe pushtetin që sjell të gjitha këto.”, tha Berisha.
SPAK ka vënë në sitë pasuritë e biznesmenit Pëllumb Gjoka, prokurorit Xhevahir Lita dhe për të gjithë personat e tjerë të arrestuar dhe të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit "Metamorfoza".
Institucioni i akuzës ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare që mund të kenë këta persona.
Sipas burimeve pranë SPAK mësohet se shkresa për të verifikuar pasuritë e të dyshuarve për 12 vepra penale janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të tyre.
Gjithashtu në sitë janë edhe transaksionet që këta shtetas kanë kryer përpara se të vihenin në akuzë. Në sitë janë vënë prona të luajtshme e të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë apo jo burime të ligjshme.
Lini një Përgjigje