
Ish-prokurori Ervin Karanxha, ka deklaruar se zgjedhja e Klodian Brahos si kreu i SPAK, ishte një zgjedhje e mirë. Sipas tij, Klodian Braho ka një karrierë të mirë, e cila është një kriter ligjor i rëndësishëm. Por sipas tij, ai ka zbatuar detyrat që i takojnë.
“Që të jesh prokuror në Republikën e Shqipërisë, kriteri kryesor edhe më parë ka qenë të kesh mbaruar shkollën e Magjistraturës. Konstatohet që ka mbaruar shkollën e magjistraturës, ka bërë një konkurs vetë dhe e ka fituar, dhe ka një ngritje graduale të karrierës së tij.
Ka mbaruar shkollën, ka mbaruar fakultetin, ka mbaruar magjistraturën dhe ka filluar prokuror në Berat. Pra, karriera e tij dhe shkollimi tregojnë një ngritje graduale, sepse kemi parë njerëz nga hiçi që emërohen në poste kyçe. Kjo është diçka pozitive", tha ai.
Lidhur me çështjet, sipas tij, është e vërtetë që zoti Braho ka pasur çështje me rëndësi dhe ka zbatuar ligjin.
“Është një prokuror që ka zbatuar me korrektësi ligjin, fakti është konstatuar nga gjykata, pra kur çështjet e një prokurori shqyrtohen në gjykatë lidhur me masat e dënimit dhe me kualifikimet, ky prokuror ka vepruar drejt. Të gjitha çështjet që ka ndjekur janë çështje të suksesshme.
Tani është bërë një konkurrim, ku të gjithë prokurorët e SPAK-ut i plotësojnë kriteret dhe e kanë kaluar një herë filtrin. Është një garë ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke pasur parasysh prezantimin e të gjithëve dhe CV-të, kanë zgjedhur njërin. Vullneti për ta zgjedhur nuk ka qenë i ndikuar që ai të ishte drejtuesi i SPAK-ut. I uroj suksese”, është shprehur ish-prokurori”, tha ai në “Euronews”.
Lini një Përgjigje