Berisha u la i lirë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, që i hoqi masën arrest në shtëpi më 27 nëntor.
10 ditë pas ankimimit të SPAK, është caktuar gjyqtari që do të shqyrtojë çështjen ndaj Sali Berishës.
Shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Engert Pllumbi, i cili do të shqyrtojë ankimimin e SPAK që kërkon rikthimin e Berishës në arrest shtëpie.
Vendimi do të jepet më 3 Janar në orën 10:00.
Kreu i PD, Sali Berisha qëndroi i izoluar në banesën e tij për 11 muaj, ndërsa fitoi lirinë më 27 Nëntor 2024.
Ishte gjyqtarja Flojera Davidhi që pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e ish-kryeministrit se nuk ekzistonte asnjë kusht apo nevojë për të vijuar ndaj tij masa e sigurisë, sa kohë edhe hetimet kanë përfunduar.
Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë, janë të dyshuar për përfshirje në korrupsion e pastrim parash gjatë procedurave të privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Afera Partizani dhe akuzat e SPAK për Berishën
Dy prokurorët që po hetuan aferën ‘Partizani’ janë Arben Kraja dhe Enkeleda Minollai, të cilët tashmë dosjen e kanë kaluar për gjykim në GJKKO. Seanca paraprake për të vendosur nëse kalohet dosja për gjykim mbahet më 6 janar me gjyqtaren Flojera Davidhi, po e njëjta që i hoqi Berishës masën arrest në shtëpi më 27 nëntor.
Prej 30 dhjetorit të vitit 2023, kryetari i PD Sali Berisha u mbyll në shtëpi, pasi refuzoi në mënyrë të vazhdueshme të zbatojë masën e parë që gjykata vendosi ndaj tij, atë të detyrimit për tu paraqitur, si person nën akuzë për korrupsion pasiv.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin Berisha se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksione nga SPAK që po vijon hetimet për pasurinë e familjes së ish-kryeministrit 'non grata' Sali Berisha dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij./ Pamfleti
Lini një Përgjigje