TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Qershor 2026, 19:49

Reforma zgjedhore në pritje të Venecias, PS dhe PD dakord për tryeza me ODIHR

Shkruar nga Pamfleti
Reforma zgjedhore në pritje të Venecias, PS dhe PD dakord për
Komisioni i reformës zgjedhore

Palët synojnë të adresojnë çështjet e administrimit të zgjedhjeve, përdorimit të administratës dhe parandalimit të krimeve zgjedhore.

Reforma zgjedhore vijon të ecë me ritme të ngadalta, por me një frymë konsensusi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ndërsa palët presin opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet në ligjin për financimin e partive politike, është arritur dakordësi për organizimin e tryezave teknike me ekspertët e ODIHR-it për disa nga çështjet më të debatueshme të proceseve zgjedhore në vend.

Një prej temave kryesore që opozita kërkon të adresojë lidhet me ndarjen e shtetit nga partia në pushtet dhe përdorimin e administratës gjatë fushatave elektorale.

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, tha se raportet e institucioneve europiane vijojnë të evidentojnë këtë problem si një nga shqetësimet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri.

Ajo që po del nga raportet e BE-së, qoftë raporti i Komisionit të Jashtëm apo i radhës, është ndarja e shtetit nga partia në pushtet. Madje thuhet se ndarja e institucioneve shtetërore nga strukturat e partisë në pushtet janë probleme thelbësore”, u shpreh Bylykbashi.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri bëri të ditur se organizimi i tryezave me ODIHR-in është kërkuar nga vetë ekspertët ndërkombëtarë, me synimin për të gjetur balancën mes kufizimeve të nevojshme gjatë fushatave dhe funksionimit normal të institucioneve shtetërore.

Na është kërkuar nga ODIHR-i, se ndryshe ne do të rrinim në llogoren tonë, të organizojmë workshop-e me ekspertët e tyre, sepse është e vështirë ajo çka ndalohet në zgjedhje dhe çfarë lejohet. Sepse njëri do ta bllokojë shtetin fare, mazhoranca mbase s’do asnjë frenim. Duhet të gjejmë një ekuilibër”, tha Gjiknuri.

Përtej rolit të ekspertëve ndërkombëtarë, PS dhe PD bien dakord edhe për nevojën e konsultimeve me institucionet e drejtësisë dhe organet ligjzbatuese, në funksion të luftës kundër krimeve zgjedhore.

Gjiknuri propozoi zhvillimin e seancave dëgjimore me SPAK-un, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Shtetit për të identifikuar problematikat dhe nevojat ligjore në këtë drejtim.

Besoj se një konsultë, qoftë me SPAK-un, me Prokurorinë e Përgjithshme, qoftë me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese, do të ishte e nevojshme”, deklaroi ai.

Edhe Bylykbashi mbështeti këtë qasje, duke kërkuar që institucionet të paraqesin propozimet e tyre konkrete për përmirësimin e mekanizmave kundër krimeve zgjedhore.

Çfarë kanë nevojë, çfarë duan, cilat janë ndryshimet ligjore që duan të na thonë, që të gjejmë një mekanizëm që funksionon si frenues për veprat penale zgjedhore”, tha përfaqësuesi i opozitës.

Një moment kyç për reformën pritet të jetë data 13 qershor, kur Komisioni i Venecias do të japë opinionin final për ligjin e financimit të partive politike, që konsiderohet edhe produkti i parë konkret i procesit të reformës zgjedhore.

zgjedhore komisioni

Lini një Përgjigje