TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Qershor 2026, 13:38

Ministri Karakaçi: Mbikalimi i Rinasit do të shembet pas sezonit veror

Shkruar nga Pamfleti
Ministri Karakaçi: Mbikalimi i Rinasit do të shembet pas sezonit
Enea Karakaçi

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi vendimet e miratuara, ndërsa u ndal edhe te ecuria e punimeve në autostradën Tiranë-Durrës.

I pyetur për shqetësimet e ngritura lidhur me mbikalimet e këmbësorëve dhe projektin për zgjerimin e mbikalimit të Rinasit, ai tha se institucionet janë të hapura për të diskutuar çdo nevojë shtesë që mund të lindë gjatë zbatimit të projektit.

Karakaçi bëri të ditur se aktualisht po ndërtohet një mbikalim pranë një qendre tregtare, ndërsa theksoi se nëse do të vlerësohet e nevojshme, mund të shtohen edhe mbikalime të tjera. Sipas tij, puna në terren po vijon sipas planit, ndërsa fazat e ardhshme të projektit ndodhen në një stad të avancuar.

Ministri njoftoi gjithashtu se pas përfundimit të sezonit veror do të nisë shembja e mbikalimit ekzistues të Rinasit, i cili do të zëvendësohet me një mbikalim të ri me katër korsi. Ndërkohë, puna është përqendruar te segmenti i mbikalimit të Kasharit dhe te nyjet lidhëse që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve dhe aktivitetin e bizneseve përgjatë këtij aksi rrugor.

“Është evidente që një mbikalim përballë një qendre tregtare po ndërtohet. Jemi krejtësisht të hapur që të ulemi dhe të shohim nëse duhen mbikalime shtesë. Kanë qenë tre mbikalime, por kanë qenë edhe të papërdorura.

Nëse duhen të tjera, të ulemi të diskutojmë, sepse mund të shtohen rrugës. Puna po ecën dhe faza pasardhëse është në punime të avancuara. Plani është se duhet të demolohet mbikalimi i Rinasit dhe të bëhet i ri me 4 korsi. Do të nisë pas sezonit veror, sepse tani ka fluks. Gjatë kësaj periudhe po punohet për segmentin te mbikalimi i Kasharit. Po punohet edhe nyjet që ndihmojnë subjektet tregtare dhe qytetarët”, tha Karakaçi.

Lini një Përgjigje