
Komisioni i Reformës Territoriale dhe ai për Reformën Zgjedhore janë konsideruar si dy prioritete nga Partia Socialiste që në nisjen e legjislaturës parlametare, ndërsa nga mbledhja e Asamblesë së PS-së në 11 shtator, Kryeministri Edi Rama tha se do të priste opozitën të jepte kontributin e saj, por nuk do të pritej pafund nëse pala tjetër nuk do të ishte e interesuar
Partia Socialiste depoziton në Kuvend propozimin për krijimin e Komisioneve të Posaçme Parlamentare për Reformën Territoriale dhe për Reformën Zgjedhore. Për të dy Komisionet Parlamentare, që do të kenë një afat të përcaktuar, socialistët kanë menduar të njëjtën formulë sa i takon përbërjes, 17 anëtarë, që ndahen mes grupeve parlamentare të konfiguruara në Kuvend.
Sipas propozimit të PS-së, komisionet ndahen në 9 anëtarë që i përkasin mazhorancës dhe 8 opozitës.
Më konkretisht, 8 anëtarët që i përkasin opozitës ndahen në 6 për Partinë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë.
Emrat e deputetëve që do të përbëjnë komisionet e posaçme do të propozohen nga Grupet Parlamentare respektive dhe do të miratohen në seancën e Kuvendit.
Ngritja e Komisioneve të Posaçme pritet të zyrtarizohet javën e ardhshme, ndërsa palët u dakordësuan për shtyrjen e konstituimit të tyre.
Komisioni i Reformës Territoriale dhe ai për Reformën Zgjedhore janë konsideruar si dy prioritete nga Partia Socialiste që në nisjen e legjislaturës parlametare, ndërsa nga mbledhja e Asamblesë së PS-së në 11 shtator, Kryeministri Edi Rama tha se do të priste opozitën të jepte kontributin e saj, por nuk do të pritej pafund nëse pala tjetër nuk do të ishte e interesuar.
Më parë Edi Rama ka hedhur idenë e reduktimit të mëtejshëm të numrit të Bashkive në vend nga 61 që janë aktualisht, ndërsa opozita ka kërkuar që të shtohet numri i njësive vendore. Kjo çështje pritet të diskutohet nga Komisioni i Posaçëm, ndërsa kjo është hera e parë që vihet në diskutim ndarja e re Territoriale e miratuar mbi 10 vite më parë, ndërsa opozita e drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha, bojkotoi procesin.
Demokratët kanë pretenduar se ndarja territoriale u bë me qëllime politike, duke favorizuar socialistët në hartën e re elektorale.
Gjithashtu për reformën zgjedhore, komisioni i posaçëm, do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga pozita dhe tjetri nga opozita. Pranë komisionit do të angazhohet grupi i ekspertëve që do të propozohet nga partitë pjesëmarrëse në komision, ndërsa do të synohet arritja e një konsensusi për miratimin e propozimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në rastet kur ky konsensus nuk mund të arrihet, palët i drejtohet OSBE/ODIHR për të dhënë ekspertizën e tyre dhe Komisionit të Venecias.
Në rastin e Kodit Zgjedhor ose reformës zgjedhore, pothuajse sa herë ka zgjedhje, janë aplikuar ndërhyrje të momentit të fundit, por këto janë konsideruar si ‘arnime’ të Kodit Zgjedhor dhe jo një reformë e mirëfilltë zgjedhore. Nuk dihet nëse këtë rradhë, Kuvendi i Shqipërisë do të angazhohet për një reformë të plotë, apo thjesht do të ndalet te rekomandimet që jepen nga ndërkombëtarët sa herë që përmbyllet një proces zgjedhor, qoftë lokal apo kombëtar.
Çfarë përmban dokumenti
Kuvendi vendosi:
1. Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
II. Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij:
a) të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore;
b) të analizojë dhe propozojë opsione për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;
c) të analizojë sistemin aktual të financave vendore dhe të rekomandojë masa për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë forcimin e decentralizimit fiskal, rritjen e të ardhurave vendore, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar;
ç) të shqyrtojë cilësinë dhe aksesin e shërbimeve publike vendore;
d) të sigurojë përputhshmërinë e propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe politikat e kohezionit rajonal;
dh) të zhvillojë proces konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë;
e) të paraqesë përpara Kuvendit dokument analitik me rekomandime për hapat e mëtejshëm dhe projekt-propozime ligjore.
III. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Lini një Përgjigje