
“Signal”, aplikacioni që përdoret nga pjesa dërrmuese e politikës...
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka rënë pre e një shantazhi në aplikacionin “Signal”. Atij i janë dërguar disa foto, të cilat pretendohet se janë biseda në “SkyECC” mes 2 personazheve të botës së krimit, Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi, ku përmendet Bardhi.
Por ajo që vihet re, është se aplikacioni “Signal” po bëhet shumë i modës, sidomos në shumë raste është përdorur po për shantazhe. Kemi me dhjetëra raste biznesmenësh, që janë zhvatur, pasi u shkojnë mesazhe në emër të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
“Signal” është një platformë e koduar që konsiderohet e sigurt dhe nuk përgjohet. Ajo të jep mundësi të dërgosh tekst, foto dhe video që më pas asgjësohen. Po ashtu jep mundësinë e komunikimit audio dhe video, por të gjitha seancat e komunikimit ndërmjet përdoruesve të "Signal" kodohen automatikisht.
Rastet e fundit dëshmojnë se në fakt politika përdor aplikacione, që presupozohet që janë të sigurta dhe që nuk përgjohen. Më herët kishim "Sky ECC" dhe "EncroChat", por ato nuk funksionojnë më.
Po ashtu politikanët nuk preferojnë biseda në "WhatsApp", "Mesenger", etj, por shumica përdorin "Signal", dhe disa të tjerë "Telegram". Kjo është paraljmëruar disa herë dhe nga gazetari Artan Hoxha, por me rastin e Bardhit u dëshmua qartë se ministra, deputetë, kryetarë bashkie dhe njerëz të administratës e përdorin këtë aplikacion.
“Sot politikanët tanë çfarë përdorin? Të thonë ke "Signal"? "Whatsapp" përgjohet. Nëse komunikon me të dhëna që nuk duan që të përgjohen të thonë. Ke “Telegram”? Ke “Signal”? Dumani thotë se për një nga ngjarjet kam komunikuar në "Matrix". Sa më shumë sofistikohet bota e krimit, aq më shumë sofistikohet gjurmimi. Nëse doni të mos përgjoheni mos mbani teknologji”, ka deklaruar së fundmi gazetari Hoxha.
Por pse deputetët, ministrat dhe kryetarët e bashkive kanë frikë nga përgjimet? Nëse dikush punon me ndershmëri, nuk i trembet askujt. Çfarë bisedash bëjnë politikanët tanë që ruhen kaq shumë?
Frika e tyre më e madhe është SPAK. Prokurori ka shtuar ndjeshëm numrin e përgjimeve dhe në shumë raste janë fundosur zyrtarë të lartë nga përgjimet. Po ashtu zyrtarët i tremben njëri-tjetrit. Ka zëra që thonë se disa politikanë dhe biznesmenë mbajnë pajisje përgjimi për të spiunuar njëri-tjetrin.
Duke qenë se shumica janë pazarxhinj dhe dallaveret i bëjnë me telefon, tani shohin për platforma të kriptuara ose që presupozohet të sigurta për të zhvilluar biseda. /Pamfleti
Lini një Përgjigje