TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Tetor 2024, 15:16

“Qeveri hajdutësh”/ Opozita bllokon mbledhjen e Sekretariatit të Etikës, demokratët përplasen me socialistët (Video)

Shkruar nga Pamfleti

“Qeveri hajdutësh”/ Opozita bllokon mbledhjen e Sekretariatit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin  e 24 deputetëve të Partisë Demokratike...

Ka dështuar mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku pritej të vendosej për ndëshkimin e deputetëve të opozitës, mbi incidente e së hënës.

Ashtu sikundër pritej, deputetët e opozitë kanë mësyrë në sallën ku po zhvillohej mbledhja dhe nuk kanë lejuar mbajtjen e saj, duke u përplasur me socialistët. Flamur Noka dhe Gazmet Bardhi kanë lëshuar valë akuzash teksa dëgjohet të thonë: “Hajdut, qeveri hajdutësh”.

Saimir Korreshi: Ku do ta bëjmë mbledhjen?? Jemi bërë me Gardë Revolucionare këtu

Flamur Noka: Asnjë të mos ulet

Saimir Korreshi ironizon: Në emër të popullit, je i arrestuar

Flamur Noka i drejtohet kryetares së Komisionit të Etikës, Klotilda Bushka: Ti përfaqëson krimin e organizuar dhe korrupsionin e këtij populli! Ti dhe Edi Rama. Turp! Ju përfaqësoni hajdutët

Klotilda Bushka: Ndërprisni mbledhjen

Flamur Noka: Hajdutët e 5 milionë eurove

Pas mbledhjes, Flamur Noka ka folur me tone kërcënuese. Ai tha se flakët do shkojnë deri në Surrel.

Mazhoranca të kërkojë me ngulm të mos ketë opozitë në parlament. Është unike dhe këtë e bëjnë vetëm regjimet narkos, Rama dhe zonja 5 mln euro e doganave e urrejnë opozitën, kanë tmerr opozitën. Ajo flaka e karrigeve i ka tmerruar, se shohin që gjuhët e asaj flake mund të lëpijnë diku nesër nga Surreli apo thasët e parave që kanë fshehur. Ata që kanë vjedhur pronën publike, ata që kanë vjedhur 10 mld euro në këto vite, qajnë me lot krokodili pasurinë e famshme publike të një karrigeje. Kjo është fytyra e këtij regjimi, narko, bandë hajdutësh. Mendojnë se me kërcënime të tilla mund ta intimidojnë opozitën. Ka mbaruar ajo ditë kur ata bënin ç’të donin me opozitën”, tha ai.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin  e 24 deputetëve të Partisë Demokratike, pas dhunës dhe tensioneve të krijuara në Kuvend gjatë seancës së 30 shtatorit.

Me një letër depozituar në Kuvend për kryetaren Elisa Spiropali, PS thekson se disa nga deputetët demokratë nuk lejuan zhvillimin normal të seancës duke dëmtuar pajisjet elektronike dhe bllokuar foltoren. Gjithashtu, PS shton se në drejtim të kryetares së Kuvendit janë hedhur sende duke i rrezikuar jetën si dhe djegien e karrigeve jashtë godinës.

 

Seanca 30.09.2024 nisi me tensione dhe dhunë nga deputetët e opozitës, sjellje këto të cilat cenuan zhvillimin e rregullt të seancës plenare, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendin dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit.

Deputetët e opozitës që në nisje të seancës i janë  drejtuar foltores duke e bllokuar dhe duke u konfliktuar fizikisht me punonjësit e Gardës së Republikës.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati goditën me mjete shumë të forta drejt Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, mjete të cilat mund të rrezikonin dhe jetën, dhe vënia në rrezik e jetës brenda sallës së Kuvendit të Shqipërisë është e papranueshme.

Deputetët e opozitës vijuan kaosin në sallë duke nxjerrë jashtë nga salla e parlamentit karriget të cilave më pas u vendosën flakën duke rrezikuar kështu përhapjen e flakëve në godinë.

Tensionet e krijuara në sallë penguan deputetët e mazhorancës që të mbanin fjalën e tyre, të cilët ishin regjistruar për të diskutuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, sipas rendit të ditës. Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati nuk lejuan që deputetët Erion Braçe dhe Petro Koçi të mbanin fjalët e tyre duke i marrë kartën dhe dëmtuar pajisjen elektronike. Deputetët gjithashtu kanë tentuar të mos lejojnë të mbante fjalën dhe Kryetari i grupit Niko Peleshi dhe Nënkryetari i Grupit Toni Gogu duke krijuar tensione. Këto sjelle dhe veprime të rënda kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare. Këto situata të rënda kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, por edhe pengojnë përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme. Veprimet e deputetëve të opozitës janë më shkelje e hapur dhe flagrante e detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e PS.

Deputetët e PD për të cilët kërkohet përjashtimi:

1.Gazment Bardhi

2.Flamur Noka

3.Bledion Nallbati

4.Edi Paloka

5.Saimir Korreshi

6.Lefter Gështenja,

7.Luan Baçi

8.Dashnor Sula

9.Agron Gjekmarkaj,

10.Dhurata Çupi,

11.Xhelal Mziu,

12.Ina Zhupa,

13.Zheni Gjergji

14.Helidon Bushati

15.Lindita Metaliaj,

16.Ramadan Lika,

17.Asllan Dogjani,

18.Qani Xhafa,

19.Flamur Hoxha,

20.Isuf Çela

21.Kastriot Piroli

22.Lodovik Hasani,

23.Kasem Mahmutaj,

24.Edmond Spaho

 

Lini një Përgjigje