TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shtator 2025, 14:23

Rama prezantoi qeverinë e re, Berisha: Sot ditë zie për shqiptarët, edhe 4 vite në mbështetje të krimit

Shkruar nga Pamfleti

Rama prezantoi qeverinë e re, Berisha: Sot ditë zie për

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Rama për lidhje me kartelet e drogës dhe për braktisje të qëllimshme të partnerëve strategjikë si NATO dhe SHBA.

Sipas Berishës, fjalimi i Ramës sot ishte një “ditë zie” për shqiptarët, ku në mënyrë demonstrative u la jashtë çdo përmendje Aleanca e Atlantikut të Veriut, ndërsa vendimet e qeverisë po shkojnë drejt mbështetjes së interesave kriminale.

Berisha paralajmëroi se Rama është tashmë në një 'rreth të kuq', i izoluar ndërkombëtarisht si Nicolás Maduro, pasi është i përfshirë në pastrimin e parave të drogës dhe bashkëpunimit me figura të shpallura non grata nga SHBA.

“Sot, kreu i narkoshtetit, në një fjalim që tani përveç Maduros, nuk e mban kush aq të gjatë, u tha shqiptarëve mesazhet më të zeza.

Së pari, ai përfundimisht në fushën më të rëndësishme të çdo vendi, që është fusha e sigurisë, i vuri kryq NATO-s dhe nuk përmendi njëherë të vetme Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Dhe kjo nuk është pa qëllim.

Së pari, të marrim regjistrat. Nuk ka vendosur detyrimin 2 përqindësh siç e kërkon buxheti. Ka mashtruar NATO-n, ka mashtruar SHBA-në.

Por ky ka hall tjetër. Halli i madh janë kartelet e drogës.

Presidenti Donald Trump, për herë të parë në histori, shpall grupe terroriste kartelet e drogës dhe dje sekretari i mbrojtjes, nga Porto Riko, çfarë deklaroi? Kjo luftë, tha, është ndryshe nga të gjitha luftërat tjera që kemi bërë. Kjo luftë nuk është për politikë, kjo luftë është për jetën e fëmijëve tanë, për të ardhmen e fëmijëve tanë.

U garantoj se kreu i karteleve të drogës në Shqipëri e ka ndjerë këtë gjer në palcë. Ky që ka pritur në zyrë Luftim Hysën, sot i shpallur organizatë terroriste kryesore në botë, i Sinaloas. Ky që miliarda e miliarda euro, jo vetëm të karteleve shqiptare, por karteleve rajonale, i ka hapur dyert dhe miraton në një mbledhje dhjetë milionë metër katrorë ndërtimi për të larë këto kartele drogën, ky është në rrethin e kuq. Ky është një me Maduron dhe nuk ka ku shkon.

Prandaj ky thotë nuk na duhen leksione përtej Atlantikut, në fjalimin sot thotë me BE-në përshtat, se mendon se BE nuk do luftojë drogën dhe korrupsionin. Të gjitha këto i kanë sjellë Europoli dhe Eurojust.

Pra, është në ditën e tij më të zezë dhe ditët do i nxihen gjithmonë e më shumë, siç e meriton”, tha ndër të tjera Berisha.

Lini një Përgjigje