Kryeministri Rama ka fluturuar dje pas mesditës drejt Londrës për të nisur një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai fillimisht do të vizitojë London School of Economics. Më pas do të jetë në parlamentin anglez nga ku do të takohet me disa deputetë, të cilët përmes retorikës së tyre kanë qenë tërësisht anti-shqiptarë pas 13 mijë shqiptarëve që arritën ilegalisht në Britaninë e Madhe.
Ai do të pritet për herë të parë në një takim nga Kryeministri britanik Rishi Sunak në zyrën e tij në Downing Street 10, ku do të diskutojnë mbi çështje aktuale të politikës ndërkombëtare, si dhe forcimin e bashkëpunimit, përmes marrëveshjeve ndërqeveritare, në fusha me interes të ndërsjelltë.
Takimi mes tyre vjen pas disa polemikave mes Tiranës dhe Londrës në lidhje me deklaratat e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman për emigrantët shqiptarë, të konsideruar si diskriminuese nga kreu i qeverisë shqiptare dhe komuniteti shqiptar në Angli dhe pas miratimit të ligjit kundër emigrantëve që ka shkaktuar polemika në Britaninë e Madhe.
Me kryeministrin Sunak, Rama do të takohet të enjten dhe do të kenë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Pjesë e diskutimeve do jetë edhe bashkëpunimi dypalësh kryesisht me karakter ekonomik dhe çështjet e sigurisë e luftës ndaj krimit të organizuar.
Për këtë arsye, pjesë e delegacionit do të jetë dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Gjatë vizitës 3 ditore, Rama do të pritet dhe nga kryetari parlamentit britanik, Lindsay Hoyle, do të jetë i ftuar në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe do të marrë pjesë në një pritje të organizuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Lini një Përgjigje